Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak Durrës, pika e parë e rendit të ditës ishte votimi për nënkryetaren e re të KB.

Pas dorëheqjes së dhënë nga ish-nënkryetarja Edlira Devolli në dhjetor të 2025, vendi i nënkryetarit nga radhët e opozitës kishte mbetur bosh.

Kandidatura e Mirela Shalës duhet të votohej që në mbledhjen e kaluar të Këshillit Bashkiak, por për shkak të braktisjes së mbledhjes nga këshilltarët e opozitës, votimi nuk u krye.

29 nga këshilltarët e pranishëm sot në sallë, si nga radhët e opozitës ashtu edhe nga radhët e mazhorancës, votuan pro kandidaturës së Shalës.

Shala u bë pjesë e Këshillit Bashkiak Durrës pak muaj më parë, pas largimit nga ky këshill i Manjola Lukut, e cila fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet e 11 majit të vitit të kaluar.

Mirela Shala, me profesion është mësuese dhe aktualisht jep lëndën e letërsisë pranë shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”.

Zgjedhjen e zv/kryetares së re e përshëndeti edhe kryebashkiakja Emiriana Sako, e cila në një postim në rrjetet sociale i uroi suksese.

“Në këtë mbledhje u zgjodh zëvendëskryetare e këshillit bashkiak znj. Mirela Shala, të cilës i uroj suksese në këtë detyrë”, shkruan Sako.