Në një kohë kur e gjithë Europa vlon, sidomos ajo pjesë që dielli e ngroh më shumë, akademikët dhe diplomatët e ndryshëm nuk reshtin të servirin zgjidhje nga më të ndryshmet. Por sidoqoftë, duke mënjanuar ato joserioze apo të pamundura, zgjidhjet e mundshme që qarkullojnë më shumë nëpër sallonet e financës së lartë mund të përmblidhen si më poshtë:

1) EUROBONDET, pra garantimi solid i borxhit nga të gjithë anëtarët e eurozonës.

Ka kohë që lakohet në ambjentet ekonomike të kontinentit të vjetër dhe së fundmi është përfshirë edhe në rendin e ditës në mbledhjen e radhës së KE-së. Kolektivizimi i borxheve nëpërmjet një angazhimi solid të të gjitha vendeve anëtare të Eurozonës do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së titujve (Eurobondeve) duke qenë se garant do të jenë edhe shtete të forta si Gjermania dhe Franca. Në këtë mënyrë do të evitohej rreziku që vjen nga Bursat. Kjo zgjidhje është refuzuar kategorikisht nga Merkel:eurobondet, kolektivizimi i borxheve, nuk janë zgjidhja e duhur për krizën, është i nevojshëm rishikimi i traktateve në mënyrë që të arrihet në një bashkim fiskal dhe në ndërtimin e një ndërtese politike që të harmonizojë kompetencat e vendeve anëtare”,- theksoi ajo gjatë një fjalimi në Parlamentin Gjerman.

2) NDRYSHIMI I ROLIT DHE KOMPETENCAVE TE BQE-së.

Të shërbejë si “blerës i fundit në rast rreziku” për vendet në vështirësi. Kjo është zgjidhja që ka gjetur konsensusin më të gjerë në radhët e ekspertëve dhe së fundmi ka gjetur mbështetjen edhe të Ministrit të  jashtëm të Francës, Alain Juppè, i cili kërkoi që “BQE të luajë një rol esencial” për të shpëtuar eurozonën.Një gjë e tillë do të bënte të mundur mbajtjen nën kontroll të interesave mbi bonot shtetërore të vendeve anëtare  dhe do të evitonte spekullimet e tregjeve financiare. Aktualisht BQE, sipas statutit te saj, mund t’u ofrojë likuiditete bankave private që gjenden në vështirësi në mënyrë që të garantojë stanilitetin monetar, por nuk mund të bëjë të njëjtën gjë me shtetet që gjenden në vështirësi. Sipas shumicës së ekspertëve, BQE, duhet medoemos të garantojë jo vetëm stabilitetin e çmimeve, por edhe stabilitetin financiar.

Ndryshimi i rolit të BQE-së, pra mundësia që ajo të  veprojë si blerës i instancës së fundit të titujve të shteteve anëtare, kundërshtohet me forcë nga Merkel:“BQE nuk mundet të stampojë monedhë për të shpëtuar vendet në krizë , sepse ky nuk është mandati i BQE-së. Në asnjë mënyrë nuk duhet të diskutohet mundësia e ndryshimeve në kompetencat e BQE-së, ajo duhet të mbetet institucion që garanton stabilitetin monetar, nuk mund të kompromentojmë të ardhmen e gjeneratave të ardhshme”. Në fakt qëndrimi i Merkel nga njëra anë është i kuptueshëm, pasi kontribuesit gjermanë do të mbanin koston e kësaj ndërhyrjeje për të shpëtuar “shtetet gjinkalla”, por nga ana tjetër është disi i çuditshëm refuzimi në parim, pasi Bundesbank (Banka qendrore gjermane) mund ta bëjë një gjë të tillë dhe e bëri së fundmi duke evituar dështimin kolosal të ankandit të Bundeve të pak ditëve më parë. Përse një entitet si Bashkimi Europian nuk duhet të ketë një Institucion me të njëjtin funksion? Dhe një rol të tillë nuk ka kush ta mbulojë veçse BQE-ja. Në USA, për shembull Federal Reserve e ka këtë kompetencë.  

3. NDIHMË  FINANCIARE ( nga FMN-ja apo ndonjë organizëm tjetër).

Në fakt kjo është zgjidhja më pak e mundur, të paktën për sa kohë kuadri ligjor i Eurozonës do të mbetet ky që është. Por nga ana tjetër për vënien në jetë të politikave të kontrollit të shpenzimeve është e nevojshme një kohë nga 12-18 muaj dhe një ndihmë e tillë, do t’i jepte mundësi shteteve si Italia dhe Spanja, që në muajt e parë të 2012-ës, kohë kur u skadojnë më shumë se 20 miliard euro obligacione (do u duhet të paguajnë poseduesit e titujve) të kenë mundësi të paguajnë dhe të evitojnë rreziqet e Bursave. Të tre opsionet e mësipërme kanë hasur në kundërshtimin e kancelares Merkel tashmë më e fortë se kurrë falë mbështetjes franceze. Në zgjidhjen e krizës një rol të rëndësishëm do të ketë pozicioni i Gjermanisë, planet politike vetjake të Kancelares Merkel nuk kanë si të mos ndikojnë. Të shohim se sa do arrijë Merkel të harmonizojë nevojat e saj elektorale (elektorati gjerman nuk toleron që me taksat e tyre të shpëtohen të papërgjegjshmit!) dhe thirrjet e dëshpëruara dhe të vazhdueshme nga të katër anët e Europës.