Ardian Muka, President i kompanisë “Transped Muka” deklaron se ky është një problem i Ministrisë së Financave, e cila duhet ta kishte zgjidhur vite më parë, pa u larguar drejt shteteve të tjera për rregjistrim kompanitë e transportit, të cilat detyrimet duhet t’i paguajnë në vendin e tyre. Situata që nuk ka gjetur zgjidhje pavarësisht se ka kaluar shumë kohë sipas tij i detyron kompanitë ti matrikullojnë kamionët me targa të Bullgarisë Austrisë apo edhe Maqedonisë. “Përballë këtij fakti ne i paguajmë detyrime shumë të mëdha shtetit italian, detyrime që variojnë deri në 560 euro për një rrugë vajtje ardhje”,- thotë ai.

Z. Muka pse është krijuar kjo situatë?

Ne flasim që po shkojmë drejt Komunitetit europian, por kamionistët shqiptarë trajtohen në Itali njësoj si vendet e botës së tretë. Çdo rrugë import eksporti nis me minus minimalisht 560 euro, për 20 ton mallra të transportuara. Kjo rrit koston e transportit, po njëkohësisht edhe të produkteve  për konsumatorin.

Sa të dëmtuar jeni nga konkurenca me vendet e rajonit?

Marrim si shembull Maqedoninë fqinje. Kamionistët atje paguajnë 0.7 euro tarifën që ne e paguajmë 6.2 euro për 100 kilometra dhe paguajnë 1.1 euro atë që kamionistët shqiptarë e paguajnë 9.3 euro. Për diferencë targat që ne kemi aktualisht nuk i kemi ndryshuar, por mjetet e reja që po marrim po i targojmë. Unë personalisht po hap një filial në Maqedoni dhe do t’i targoj me targa maqedonase.

Duke hapur filial në Maqedoni çfarë favorizimi do të keni për aktivitetin tuaj?

Duke u targuar me traga maqedonase shuma prej 450 -550 euro për një rrugë,  shkon nga 30 deri në 50 euro. Diferencën prej 500 euro ne kemi mundësi ta investojmë në blerjen e mjeteve dhe jo t’ia paguajmë taksa qeverisë italiane. Transportuesit që kanë dy ose tre mjete po i çrregjistrojnë dhe ju vënë targa të huaja. Por kompania ime ka 50 automjete dhe është e pamundur të çrregjistohemi, por vetëm duke hapur një filial në Maqedoni është një zgjidhje. Varianti  tjetër është që të marrim mjete me qera me targa të huaja. P.sh. shkoj në Austri dhe marr mjete me qera me opsion blerjeje me targa austriake. Unë paguaj qeranë mujore, e cila shkon me opsion të pagesës së mjetit. Për pesë vjet automjeti kthehet i imi, dhe kompanitë shqiptare kanë një mjet me targa austriake, ku në Itali paguhet zero euro si në hyrje edhe në dalje. 550 euro që na mbajnë aktualisht kalojnë për blerjen e mjeteve, ashtu siç operon sot e gjithë bota.