TIRANË, 15 gusht 2013 – Deri në orën 20:00 të së martës sizmologët nuk njoftuan në sajtin e tyre për një tërmet që kishte rënë qysh në orën 6:58:02 të mëngjesit në një zonë naftëmbajtëse të rrethit të Fierit, gjë që shpreh shpërfilljen e plotë ndaj detyrës për paralajmërimin e rreziqeve natyrore, për më tepër që janë në dijeni të shqetësimeve të banorëve të zonës së Zharrzës. Departamenti i Sizmologjisë së Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit publik Politeknik të Tiranës njofton se më 13 gusht 2013, ora 4:58:02 GMT ose ora 6:58:02 (koha e Shqipërisë) ka regjistruar lëkundje toke me magnitudë M=3.7, me epiqendër në thellësinë 10 km. Sipas sizmologëve, ngjarja tektonike ka ndodhur 4.1 km në vijë ajrore në jugperëndim të Roskovecit, Fier në koordinatat 40.7°V, 19.69°L (shih poshtë hartën nr. 1 pika blu). Sipas google earth, me koordinatat e mësipërme tërmeti ka ndodhur në afërsi të ujëmbledhësit të Zharrzës (shih foton satelitore kryesore dhe hartën nr. 2, shigjeta e gjelbër). Është një zonë naftëmbajtëse tokësore nga më të mëdhatë e këtij lloji në Evropë (shih hartën satelitore nr. 3). Gjatë vitit 2012 banorët kanë denoncuar në prokurori kompaninë Bankers Petroleum që po bën shpërthime, qysh orët e para të mëngjesit për kërkim nafte. Atyre u janë dëmtuar shtëpitë (shih foton). Por enti publik, i ngarkuar me ligj, që ka sizmologë dhe gjeologë, sikurse është Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, më 2 korrik 2013, nuk ka qenë në gjendje (apo nuk donte?) të përcaktonte arsyet e këtyre ngjarjeve: tektonike apo artificiale.  

Protestat

Në qershor të vitit 2012, prokuroria e Fierit shqyrtoi edhe disa ankesa të banorëve të zonës për shpërthime nëntokësore, të cilat kishin dëmtuar banesat e tyre dhe që, sipas qytetarëve, e kishin prejardhjen nga veprimet e kompanisë Bankers Petroleum në nëntokën e kësaj zone. Organi i akuzës njoftoi se u kërkua ekspertizë nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) Tiranë për shpërthime të ndodhura në datat 16 dhe 17 qershor 2012. Më 19 korrik 2012, Instituti ktheu përgjigje, se lëvizjet e tokës në datat 16 dhe 17 qershor kanë burim “tektonik”, pasi kanë ndodhur në thellësi 28 dhe 36 kilometra nën tokë. Kështu, pranohet shkencërisht se tronditjet e tokës kanë qenë tektonike (tërmete), të cilat kanë ndodhur dy ditë rresht (16-17 qershor 2012) pothuajse në të njëjtën orë (më 16 qershor, ora 3:47 e mëngjesit dhe më 17 qershor ora 4:00 e mëngjesit). Prokuroria e Fierit kërkon sërish informacion nga IGJEUM-i për shpërthimet në datat 16-17 qershor 2012, ku kërkohet edhe thellësia e lëvizjes dhe arsyeja. Në mars 2013, IGJEUM-i ktheu përgjigje se në datat 16 dhe 17 qershor 2013, lëvizjet kanë ndodhur në thellësi, përkatësisht në dt. 16.6.2012 në thellësinë 11 kilometra dhe më 17.6.2012 dy lëvizje në thellësinë 1 dhe 5 kilometra, ndërkohë që nuk përcaktohet shkaku i tyre. Pasi ka parë diferencat e mëdha në shpjegimet e Institutit të Gjeoshkencës për të njëjtën ngjarje, Prokuroria kërkoi një tjetër sqarim: “përcaktimin përfundimtar të thellësisë së lëvizjes së tokës, shkakun e këtyre lëvizjeve, me qëllim për të përcaktuar nëse qëndron dyshimi i banorëve ose jo për veprimtarinë e Bankers Petroleum”. Më 2 korrik 2013, ka mbërritur nga IGJEUM-i përgjigjja se thellësia e lëvizjes së tokës në zonën e Zharrzës dhe Patos-Marinzës në Fier janë ato të paraqitura në përgjigjen e datës 12.03.2012. Ekspertët përjashtojnë mundësinë e tërmetit në këtë zonë, por IGJEUM-i ka thënë se nuk i di arsyet e lëvizjeve të tokës, pasi nuk ka mjete për të kryer këtë verifikim. Pas vitit 2009, menjëherë pasi Bankers Petroleum filloi punën në zonën e Zharrëzës, filluan dhe tërmetet për këtë fshat të vogël. Pas ankesave të banorëve, në dhjetor 2010, IGJEUM-i nxori një studim sipas të cilit tërmetet e Zharrëzës ishin natyrore. Por tërmetet vazhduan dhe në gusht 2012, 200 banorë të Zharrëzës u ngritën përsëri në protestë për shtëpitë e dëmtuara nga tërmetet e vazhdueshme, për të cilat ata fajësojnë aktivitetet e Bankers Petroleum.

Mendimi i ekologëve

Bankers Petroleum përdor teknikën e injektimit të ujit për nxjerrjen e naftës (shih skemën sipas sajtit të Bankers Petroleum). Një kërkim në Google na tregon se kjo teknikë shkakton tërmete, por sigurisht jo në Shqipëri, por atje ku ka një qeveri funksionale. Kështu Akademia Amerikane e Shkencave në publikimin “Potenciali i teknologjive energjetike për të shkaktuar tërmete” ka pranuar se nxjerrja e naftës me injektim uji ka shkaktuar tërmete në disa shtete amerikane, megjithëse numri i tërmeteve në krahasim me numrin e puseve është shumë i vogël. Akademia e Shkencave kërkon dhe studime të mëtejshme për të parashikuar se në çfarë kushtesh injektimi i ujit shkakton tërmet. Sipas një studimi të publikuar nga shoqata e gjeologëve të SHBA-së, mund të duhen dhe dekada që presioni i lëngjeve të injektuara vit pas viti të shkaktojë tërmet.

Investimet për komunitetet

Gjithsesi, kompania kanadeze Bankers Petroleum ka hartuar strategji për vitin 2013 në ndihmë të banorëve të komunave të Zharrzës, Mbrostarit etj. (shih faksimilen e faqes së parë). Në tetor të vitit të kaluar ka investuar për fermerët, shëndetësinë, nxënësit e shkollave, kualifikimin profesional, jetimët, pediatrinë, argëtimin, infrastrukturën rrugore, ndërtim shtëpish për familjet në nevojë. Madje, më 22 tetor 2012, kryetari i komunës së Mbrostarit Gëzim Dhima i ka dërguar një letër falënderimi Bankers Petroleum-it për hapjen e puseve për ujë të pijshëm për 5 mijë banorë të fshatrave Kallm i Madh, Kallm i Vogël, Verri dhe Vajkan.

Info/ Rrethi i Fierit

Për t’u orientuar në gjeografinë e zonës, “Dyrrah”-u ka përgatitur një “ekskursion”. Rrethi i Fierit përfshin nën administrim 3 bashki: FierPatosRoskovec dhe 14 komuna: Cakran (me fshatrat Buzmadhe, Cakran, Cakrani i Ri, Floq, Gorishovë, Gjonçë, Gjorgos, Humbar, Kreshpan); Dërmenas (me fshatrat Dermenas, Pojan, Krygjatë, Havaleas, Hoxharë, Radostinë, Sulaj, Hamil, Muçaj, Baltëz, Povelçë, Darëzezë e Re); Frakull e Vogël (me fshatrat Frakull e Madhe, Frakull e Vogël, Adë, Peshtan Bregas, Kafaraj, Kashisht, Sheq Musalalaj, Cerven); Kuman (me fshatrat Kuman, Marinëz, Vidhishtë, Luar); Kurjan (me fshatrat Kurjan, Mbërs, Ngjeshar, Vlosh); Levan (me fshatrat Levan, Ferras, Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Shtyllas, Bishan, Bashkim, Boçovë, Martinë, Pishë (Pishë-Poro), Qarr); Libofshë (me fshatrat Libofshë, Vanaj, Daullas, Rreth-Libofshë, Agim, Metaj, Gozhdaras, Havaleas, Ndërnenas, Hasturkas, Adriatik); Mbrostar (me fshatrat Mbrostar (Mbrostar Ura), Verri, Vajkan, Petovë, Kallm i Madh, Kallm i Vogël); Qendër (me fshatrat Çlirim, Mujalli, Grecalli, Daullas, Afrimi i Ri, Vadhizë, Zhupan, Drizë, Drizë-Myrteza, Romet); Strum (me fshatrat Strum, Arapaj, Velmish, Suk i Sipërm, Suk i Poshtëm);Topojë (me fshatrat Topojë, Seman, Seman i Ri, Gjokalli, Sheq Marinas, Sheq, Fushë, Grykë, Kavaklli); Zharrëz (me fshatrat Zharrëz, Fshat i Ri, Frashër, Verbas, Sheqishtë, Belinë).

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/