Vetëm një javë pasi është emëruar në krye të ZRPP në Durrës, Ardian Iljazaj ka pajisur me certifikatë pronësie së paku një mijë qytetarë që prej muajsh prisnin të merrnin këtë dokument.

Mungesa e një drejtori në Hipotekë, që pas shkarkimit të Ani Dyrmishit në muajin qershor e që u pasua me emërimin e drejtuesve të komanduar që nuk kishin të drejtë firme, solli pasoja shumë të rënda për shërbimin ndaj qytetarëve e bizneseve në Durrës.

1 mijë qytetarë kishin aplikuar sipas ligjit për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë, por nuk mund ta merrnin dot për shkak se mungonte firma e drejtorit.

Qëllimisht apo jo, për rreth 8 muaj, qytetarët e Durrësit mbetën peng i burokracive të pushtetit e të atyre që i kishin zgjedhur vetë me votë.

Drejtori Ardian Iljazaj tha se në javën e parë të punës ka firmosur një mijë certifikata, ndërsa problemi më i madh qëndron me 2 mijë dosje mbivendosjesh. Për të njëjtën pronë ka më shumë se dy pronarë dhe problemi i ka mbetur në derë ZRPP-së, ku përplasen banorët që më herët kanë aplikuar për leje legalizimi. Prioritet i Iliazajt është shërbimi ndaj qytetarëve që paraqiten në këtë drejtori për të marrë shërbim.

K.H.