Emisioni investigativ, “Vetting” ka zbardhur disa fakte të panjohura për publikun për licencat e firmosura nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjikes, Belinda Balluku, të cilat sipas raporti të KLSH, por edhe ekspertëve janë dhënë me shkelje procedurale, por edhe në konflikt të dyshuar interesi. 

Vetting hedh dritë mbi kompanitë që kanë përfituar nga firmat e Ballukut, lidhja e tyre me ministren, si dhe shkeljet që janë zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

KLSH: Mungojnë dokumentet për kontratat e Parqeve Fotovoltaike! Balluku fshehu dokumentet e Parqeve Fotovoltaike dhe Eolike

Ajo që mund të përmblidhet në gjithë vëzhgimin e procesit dhe praktikave të dhënies së parqeve fotovoltaike apo eloike, rezulton se, në 8 kontrata për këto parqe ka patur mungesa të dokumenteve për disa nga kontratat.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit: “Dosja nuk është e inventarizuar, në kundërshtim me Normat tekniko- profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë.” Por KLSH u ka qëndruar përfundimeve të auditimit, duke zbuluar detaje të tjera.

“Në asnjë rast referuar dokumentacionit të vënë në dispozicion, nuk administrohej një shkresë ku ministria kërkon dokumentacion shtesë. Dosjet e këtyre praktikave duhet të mundësojnë gjurmën e auditimit, pra të administrojnë jo vetëm dokumentacionin e sjellë nga subjektet, por edhe dokumentacionin vërtetues të të gjithë punës së kryer nga ana e ministrisë dhe njësive të saj.”

Një problem tjetër që ngrihet në lidhje me Parqet Fotovoltaike dhe Eolike është Komision i Vlerësimit të Aplikimit. Sipas KLSH-së, Komisionet e Vlerësimit të Aplikimit kanë dhënë vlerësimin pozitiv për disa kompani edhe në rastet kur dokumentacioni i sjellë nga këto subjekte aplikuese nuk justifikonin kushtet e pranimit për aplikim.

Sipas KLSH -së “Toleranca në dhënien e miratimeve paraprake subjekteve që nuk justifikojnë kapacitetin teknik, stafin dhe mjetet, si dhe eksperiencën e nevojshme për të ndërtuar impiante të tilla fotovoltaike ose eolike mund të cenoje në vetvete qëllimin e MIE për të rritur prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme diellore dhe të erës”.

Audituesit theksojnë se nga Raporti Vjetor i ERE për vitin 2021, vetëm 3 nga impiantet fotovoltaike kanë nisur prodhimin dhe asnjë impiant eolik.

Në këtë rast, KLSH ka nënvizuar se mungon mbikëqyrja dhe monitorimi i veçantë nga ana e Ministres Belinda Balluku, për të realizuar me sukses futjen në treg të këtyre kompanive.

Nga auditimi me zgjedhje i urdhër-shpenzimeve, duke i analizuar dhe me regjistrimin në sistemin Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ) për periudhën 2018-2021 është zbuluar shkelja e afateve për likuidimin e faturave.

Madje, në një rast, në vitin 2019, nga Ministrja Belinda Balluku janë kryer pagesat ndaj kompanive të Përmbarimit, për të cilat mungojnë fatura tatimore të lëshuara.

Në këta rast, KLSH ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës të marrë masat e një planifikimi/programimi sa më real dhe të besueshëm të buxhetit, pikëpyetje që bien mbi zv.kryeministren Belinda Balluku.

“Zhduken” dokumentet/ KLSH ngre pikëpyetjet e forta për

Tenderi i ARRSH

Pikëpyetje që vijojnë edhe  me tenderin e mirëmbajtjes se serverëve të ARRSH ka dërguar në dyert e SPAK-ut edhe kreun e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj. Kreu i AKSH u paraqit në institucionin e hetimit të posaçëm pas nisjes së hetimeve për drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi i cili u prangos nën akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Ndërkohë, mësohet se nën hetim është edhe procedura e ndjekur për një regjistër elektronik, tender i hapur me objekt “Auditimi energjetik i stokut të ndërtesave Publike “, me fond limit 420 mijë euro.

Me sa mësohet nga hetimet, ajo që bie në sy është fakti se, në këtë tender specifikimet teknike kanë ngushtuar kriteret duke zvogëluar konkurrencën e duke hedhur dyshime për paracaktim fituesi.

Edhe ky tender është kryer nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së drejtuar nga Belina Balluku.

Emri i zëvendëskryeministres Balluku u rishfaq në çështjet hetimore menjëherë pas prangosjes së kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i ngushtë i Belinda Ballukut, qyshse nga koha kur ajo drejtonte Albkontrollin.

Zonja ministre dhe njëherësh numri dy i qeverisë, pavarësisht nga ky skandal dhe aferë që tashmë e ka dosjen në SPAK, prej kaq kohësh nuk ka bërë asnjë reagim për prangosjen e Evis Berberit.

Ndërkohë që mediat vijojnë të raportojnë  se hetimi për komunikimet në celular i kreut të ARSH-së, ka lënë të hapur thirrjen e saj për dëshmi, sidomos për vendimet dhe fondet që ka menaxhuar dhe menaxhon ende me firmën e vet.