TIRANE, 15 prill 2013- Një 26-vjeçare, nënë e një vajze të mitur, rezulton e “zhdukur” prej 10 ditësh dhe familja e saj dyshon se ajo është rrëmbyer me qëllim për t’u shfrytëzuar si prostitutë. 

Sipas denoncimit të bërë në polici, që prej datës 4 prill, prindërit e Xhesika B., por as bashkëshorti i saj, nuk kanë asnjë lajm për vendndodhjen e saj. Sipas burimeve të policisë, dy ditë më parë, nëna e saj, Hajrie K., vendosi t’i drejtohet Policisë së Tiranës, duke denoncuar zhdukjen e të bijës, si dhe dyshimet që ajo ka rreth arsyeve të largimit, që sipas saj nuk ka qenë me dëshirën e vajzës. Sipas denoncimit që ka bërë në zyrën e Antitrafiqeve të Policisë së kryeqytetit, familjarët e 26-vjeçares pretendojnë se ajo është parë për herë të fundit duke ecur në këmbë në rrugën “3 Dëshmorët” në Yzberisht, ku dy persona e kanë hipur me forcë në një makinë dhe janë larguar në drejtim të fshatit Yrshek.

Familjarët kanë tentuar vazhdimisht që të lidhen me të nëpërmjet telefonit, por celulari i saj rezulton vazhdimisht i fikur. Familja e saj, por edhe e bashkëshorti, që banojnë në të njëjtën lagje, në Yzberisht, pasi kanë pritur më shumë se një javë që të merrnin një lajm nga vajza e humbur, kanë vendosur të denoncojnë ngjarjen në polici. 

Të afërmit e 26- vjeçares nuk pranuan të komentojnë ngjarjen, duke u shprehur se po presin të veprojë policia. Mësohet se grupi hetimor ka nisur procedim penal me akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit”.