Një grua është gjetur e vdekur në apartamentin e saj, një burrë është ndaluar, ndërsa një vogëlushe është zhdukur. Kjo është çështja që po mban pezull gjithë Kanadanë ditët e fundit.
Që nga dita e hënë, 5-vjeçarja Taliyah Leigh Marsman, nuk gjendet.
Policia ka ndaluar një burrë që dyshohet të ketë lidhje me zhdukjen e vajzës, por çështja është akoma e mbushur me mister.
Policia u vu në alarm, kur një familje telefonoi në rajonin e policisë për të rrëfyer se ishin të shqetësuar për 34-vjeçaren Sara Baillie, me të cilën nuk po arrinin të kontaktonin.
Gruaja u gjet e vdekur në apartamentin e saj, por policia nuk ka specifikuar shkakun e vdekjes, megjithëse po heton për vrasje.
Hetuesit nuk gjetën në shtëpi vajzën e gruas dhe dyshojnë se ajo nuk është larguar me një të panjohur, pasi në apartament nuk është hyrë me forcë.
Babai i vajzës, që ishte ndarë nga gruaja pak kohë më parë po bashkëpunon me policinë.
Shumë të afërt të vajzës kanë bërë apel, që vogëlushja të kthehet në shtëpinë e saj.





