Elbasan, 5 korrik 2014 – Këngëtari i muzikës tallava, Renato Hamzai, i njohur edhe si "Reni i Elbasanit" ka humbur kontaktet me familjen prej datës 29 qershor. Për Ora News, nëna tha se djali ka patur konflikte me ish- të dashurën gjatë kohës kur ka qenë beqar, pasi tani Renato Hamzaj është i martuar dhe në pritje të një fëmije.

E ëma tha se ish- e dashura e ka kërcënuar për të birin.

“Si djalë beqar, ka dashur një vajzë. Ka patur një lidhje me një vajzë, por u ndanë, djali u martua dhe ajo iku ajo në punë të saj. Nuk e di pse i bën tani ajo këto gjëra. Dikur, kur e ka dashur djali, ajo më thoshte “djalin nuk do e gëzosh se unë do ta vras”, sepse unë nuk e doja, sepse nuk ishte për djalin tim. Djalin e martova, kam nusen shtazanë. Them se e kanë marrë peng dy të dyshuar”, tha ajo.

21- vjeçari Renato Hamzai, i cili i përket komunitetit rom, humbi kontaktet me familjen në 29 qershor, ditën e diel, kur doli nga shtëpia në mëngjes për të kontaktuar dikë për punë. .

Zhdukja e Renatos dyshohet të jetë një rrëmbim, ndërsa policia ka shoqëruar dy të dyshuar. Gjithsesi ende nuk është zbuluar vendndodhja e të riut. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/