Gazetari serb, Stefan Cvetkoviç nga Bela Crkva është zhdukur mbrëmjen e kaluar, kanë bërë të ditur disa burime të agjencisë së lajmeve Beta.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka bërë të ditur se policia gjatë natës ka gjetur veturën e parkuar e cila mendohet të jetë e gazetarit Cvetkoviq.
Më pas kanë filluar edhe kërkimet për të.
“Në stacionin policor është bërë e ditur që në rrugën e Beogradit në Bela Crkva është gjetur një veturë e parkuar e tipit “Polo” e cila kishte të hapur derën nga ana e vozitësit si dhe dritën e ndezur brenda në veturë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku më pas është konstatuar se vetura i përket gazetarit Cvetkoviç, e cila në fakt është në pronësi të babait të tij”, bëhet e ditur në deklaratën e ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Serbisë.
Dëshmitarët okularë kanë thënë se vetura kishte dyert e hapura si dhe afër saj është gjetur një orë dore e cila kishte rripin e këputur. /REL