DURRES – “Zhduket” pedofili amerikan Karl Stefan Kaminski, i cili akuzohet se gjatë periudhës 2003-2006 ka abuzuar seksualisht me tre djem të mitur nga fshati Rrashbull i Durrësit. Ndërsa në shkurt pritej ekstradimi nga drejtësia shqiptare i 70-vjeçarit nga burgu federal i Kalifornisë, ai nuk gjendet.

Sipas “Gazeta Shqiptare”, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka bërë të ditur se kanë nisur dy letra rekomande në adresë të shtëpisë së Kaminskit në SHBA, si dhe të burgut ku ai vuante dënimin, për ta vënë në dijeni për fillimin e procesit gjyqësor ndaj tij. Ndërkohë, shërbimi postar amerikan ka kthyer përgjigje se personi i quajtur Karl Stefan Kaminski nuk gjendet me adresat e mësipërme. 

Ndërkohë gjyqtari Fejzo Hysi, që do të gjykojë këtë çështje ka deklaruar se gjyqi në ngarkim të pedofilit amerikan do të zhvillohet në mungesë. Gjykata ka caktuar avokat mbrojtës kryesisht për të pandehurin Kaminski. Në fillim të këtij procesi, prokurori i çështjes, Vladimir Mara tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet ligjore që i pandehuri, i cili është përballur edhe me drejtësinë amerikane ku vuan dënimin për të njëjtën akuzë, të ekstradohet në Shqipëri për llogari të drejtësisë shqiptare. 

Karl Stefan Kaminski akuzohet për “Kryerje të marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale” me tre të mitur. Gjatë kohës që ka qëndruar i fshehur në Durrës, i pandehuri njihej me emrin David Goldeinstein, dhe hiqej si shtetas gjerman, i cili kishte mbërritur me organizatat bamirëse. Ai ka qëndruar me qira në një vilë 3-katëshe në fshatin Rrashbull, dhe gjatë kësaj kohe ka kryer marrëdhënie seksuale me tre djem të mitur, kushërinj njëri me tjetrin. Mësohet se Kaminski, në atë kohë 62 vjeç, i ka mashtruar tre djemtë e mitur, duke iu dhënë lekë për të mësuar kompjuterin dhe gjuhën angleze. Në dosjen hetimore thuhet se pedofili amerikan u bënte fotografi djemve, dhe më pas i shiste nëpërmjet internetit. Në vitin 2006, Kaminski u arrestua në Gjermani, pasi u kap me një pasaportë të falsifikuar. Pasi kreu dënimin prej 16 muajsh, ai u ekstradua në Amerikë ku ishte dënuar po për pedofili. Në kompjuterin e tij u gjetën mbi 6 mijë fotografi, duke kryer akte seksuale me djem të mitur.