Një postim i Iker Kasijas në Twitter në ditën e sotme çuditi shumëkënd, pasi ish-portieri i Spanjës dhe Real Madrid, deklaroi se ishte homoseksual.

“Shpresoj të më respektoni, jam gej”, shkruante Kasijas në profilin e tij. Ishte një postim që bëri xhiron e botës brenda pak minutash pasi ishte një situatë e papritur duke kujtuar se ai ka qenë i martuar dhe ka dy djem, ndërsa së fundmi është përfolur shpesh për histori dashurie me modele, aktore apo këngëtare që pas ndarjes nga Sara Karbonero.

Postimi u zhduk mbas rreth një ore e gjysmë dhe më në fund ka qenë vetë Kasijas i cili ka shpjeguar me një postim të ri atë që ndodhi.

“Llogaria e hakuar. Për fat gjithçka është në rregull. U kërkoj falje të gjithë ndjekësve të mi. Dhe sigurisht, edhe më shumë ndjesë komunitetit LGTB”, shkruante Kasijas në postimin e ri nga llogaria e tij.