Itali, 11 maj 2014 – Mediat italiane japin alarmin për zhdukjen e presidentit të skuadrës së Triestinas. Bëhet fjalë për kosovarin që ka blerë aksionet e ekipit modest, Hamdi Mehmeti. Në faqen online të gazetës "Il Piccolo" kritikohet menaxhimi i shoqërisë nga Mehmeti, ku theksohet gjithashtu se destinacioni i tij aktualisht nuk dihet. 

Lojtarët janë ngritur në revoltë për shkak të mungesës së pagave, ndërsa mësohet se Mehmeti është parë për herë të fundit në qytezën Pordenone. Tifozët kërkojnë prej kohësh një ballafaqim me biznesmenin kosovar, të cilit i kërkojnë të shesë aksionet e shoqërisë në mënyrë që kriza në skuadër të përfundojë sa më parë. 

Mehmeti e bleu skuadrën e Triestinas vetëm pak javë më parë duke premtuar investime në klubin italian. Prej shumë vjetësh Mehmeti jeton në Zvicër, ndërsa në të shkuarën ai ka sponsorizuar edhe skuadrën kosovare të Hajvalisë. Aktualisht, Triestina militon në kategorinë e katërt të futbollit italian.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/