22gusht 2015 – Një muaj pas aksidentit të biznesmenit vlonjat, ku humbi jetën ekonomistja Bujana Bushi pezullohet nga detyra për shkelje disiplinore shefi i Policisë së Kavajës, Arbëresh Vokshi. Në vend të tij është komanduar nëndrejtori aktual i Policisë së Tiranës, Edmond Meshini. Motivet e lëvizjes së drejtorit të Policisë së Kavajës ende nuk janë të qarta, por paraprakisht flitet se Vokshi kishte konflikte me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
Burime të Gazetës Shqiptare thonë se shkarkimi mund të ketë lidhje me problematikën e hasur pas aksidentit të ndodhur në Kavajë të biznesmenit vlonjat, ku humbi jetën Bujana Bushi. Në momentin e aksidentit familjarët pretenduan se viktima kishte 100 mijë euro me vete, të cilat s’u gjendën. Veç kësaj, pati përplasje procedurale të policisë me prokurorinë, ku sendet personale të viktimës iu dorëzuan prokurorit 4 orë më vonë se deklarata e policisë, ku thuhej se materialet i dispononte prokuroria. Gjithsesi, ky është aludimi që përflitet për momentin, deri në një sqarim zyrtar për pezullimin e drejtorit të policisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





