* Zhdukja e 100 mijë eurove përplas Policinë e Tiranës me Prokurorinë

* Çanta e sendet u dorëzuan 4 orë pas njoftimit të Drejtorisë së Policisë

3 gusht 2015 – Ngjarja e bërë publike dje në media, në lidhje me zhdukjen e çantës me 100 mijë euro dhe sendet e 32-vjeçares Bujana Bushi që humbi jetën në një aksident rrugor në Kavajë, po shkaktojnë dyshime të mëdha se ku kanë përfunduar paratë. Në lidhje me këtë rast, edhe Prokuroria është përplasur me Policinë e Tiranës.

Në një komunikatë për shtyp të ditës së djeshme në orën 16:54, Policia e Qarkut Tiranë bëri me dije se sendet personale dhe çanta i janë dorëzuar prokurorit të çështjes.

Pas kësaj deklarate, “Gazeta Shqiptare” shkruan se ka kërkuar informacion nga prokuroria, ku zyrtarisht u njoftua se prokurorit të çështjes, materialet i janë dorëzuar vetëm 4 orë pas deklaratës së policisë, rreth orës 20:47 po të ditës së djeshme, ku provat janë marrë me procesverbal.

Njoftimi i policisë, pasi sqaron për aksidentin, shkruan:

“Në vendin e ngjarjes është paraqitur vëllai i shtetasit Kosta Taci, të cilit nga shërbimet policore iu kërkua të vinte në dispozicion dokumentet e makinës, pasi drejtuesi i mjetit u shoqërua për ndihmë mjekësore. Gjithashtu atij iu dorëzuan edhe sendet personale që gjendeshin në makinë, nga shërbimi policor. Shtetasi A.A., vëllai i drejtuesit të mjetit, mori me vete edhe çantën e viktimës. Më pas kjo çantë me procesverbal iu dorëzua prokurorit të çështjes. Gjatë këqyrjes së viktimës nga ekspertët kriminalistë, nuk janë gjetur dhe sekuestruar sende personale”, sqaron policia, duke shtuar se sendet e viktimës familjarët mund t’i marrin vetëm pas urdhrit të kthimit të sendeve të sekuestruara Prokurorisë.

Por, Prokuroria e Tiranës ka një version tjetër. Pas komunikimit zyrtar të gazetës me Prokurorinë, del që deklarata e policisë së qarkut Tiranë është krejtësisht e pavërtetë.

Tashmë pritet hetimi i thellë i Prokurorisë për çështjen ku familjarët e viktimës 32-vjeçare Bujana Bushi, pretendojnë humbjen e çantës me 100 mijë euro që e reja i kishte marrë për të blerë një shtëpi, shkruan e përditshmja ‘Gazeta Shqiptare’.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/