Malajzi, 14 mars 2014 – Hipotezat për atë se çfarë ka ndodhur me avionin MH370 të kompanisë Malaysia Airlines shtohen. Në mungesë të informacioneve konkrete mbi fatin e avionit të zhdukur, që në datë 8 mars, hetuesit nuk përjashtojnë asnjë hipotezë të mundshme. Avioni u zhduk nga radarët vetëm një orë pasi ishte ngritur në fluturim dhe në bordin e tij ndodheshin 239 persona.
6 hipoteza sipas uebsajtit Usa Today
Një katastrofë ajrore– Një ekspert ka deklaruar për Usa Today se mungesa e një sinjali për ndihmë nga ana e pilotëve të avionit të shtyn të mendosh se ka ndodhur një katastrofë e menjëhershme. Sipas tij, nëse pilotët do kishin konstatuar më parë probleme do t’i sinjalizonin ato.
Defekt mekanik – Transponder-i i avionit, pajisja që dërgon sinjal në sistemet e radarëve si dhe tek avionët që ndodhen në afërsi, nuk funksiononte. Ekspertët ngrenë hipotezën se mund të ketë pasur një black out të sistemit. Ndërsa hipoteza e dytë është një akt sabotazhi, ose nga vetë njëri nga pilotët, ose nga ndonjë prej pasagjerëve që kishte njohuri teknike në këtë drejtim. Kjo ka bërë që avioni të vazhdonte udhëtimin pa lënë gjurmë.
Gabim i pilotit– Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që të bëhet fjalë për një gabim të pilotit, edhe pse kompania Malaysia Airlines thotë se të dy pilotët ishin mjaft ekspertë.
Terrorizmi – Disa burime në SHBA i kanë bërë të ditur uebsajtit Usa Today se po hetohet edhe për një akt terrorist. Sipas të njëjtave burime, në avion ndodheshin dy iranianë që udhëtonin me pasaporta të vjedhura. Gjithsesi burime nga Interpoli thonë se dy iranianët po udhëtonin në drejtim të Europës, ku mendohet se do të kërkonin azil.
Avioni ka vijuar udhëtimin – Një burim konfidencial i ka pohuar Associated Press se hetuesit janë duke parë mundësinë që avioni të ketë vijuar udhëtimin edhe për të paktën 4 orë të tjera, pasi ka humbur nga radarët. Këtij misteri i shtohet një foto e bërë publike nga Qendra e Burimeve Satelitore në Kinë, në datë 13 mars. Në foto duket një objekt i pa identifikuar që fluturon në datë 9 mars mbi detin e Kinës qendrore. Amabasada kineze u ka deklaruar autoriteteve malajziane se nuk ka ende asnjë konfirmim se objekti në fjalë mund të jetë avioni i zhdukur. Në të njëjtën kohë publikimi i fotos nuk është autorizuar nga qeveria kineze.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





