Vijon të mbetet mister zhdukja e biznesmenit italian, Davide Pecorelli në Shqipëri ngjarje e ndodhur rreth një muaj më parë. Autoritetet italiane janë shprehur se Shqipëria s’ka dërguar ende monstrat e AND-së, për t’i krahasuar ato me të vëllait të tij.
Bëhet me dije se Prokuroria italiane ka administruar edhe dëshminë e shokut të Davide Pecorellit, i cili është shprehur se biznesmeni do takonte në Shqipëri një mjek dhe do t’i shiste atij produkte në vlerë 70 mijë euro.
Më 8 janar në autostradën Gjegjan-Reps në Pukë u gjet e djegur një mjet tip “Skoda Fabia”, e cila ishte marrë me qira në Rinas nga një sipërmarrës dhe ish-gjyqtar italian. Në makinën e djegur janë gjetur eshtra, të cilat mesa duket ende nuk janë dërguar në Itali.
Ish-gjyqtari, italian Pecorelli bashkëjetonte me një grua shqiptare me të cilën kishte edhe një fëmijë të mitur. Prej një viti ai kishte nisur të investonte edhe në Tiranë.





