Gjashtë ditë nga zhdukja e dy burrave në Shkodër. Gëzim Hysaj, 56 vjeç dhe nipi i tij Agron Molla, 47 vjeç janë larguar më 23 gusht nga banesa dhe nuk janë kthyer më. Një ditë më pas dy bashkëshortet e tyre kanë denoncuar në polici por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre.

Saimira Hysaj, bashkëshortja e 56-vjeçarit nga Dobraçi i Shkodrës ka rrëfyer për “BalkanWeb” bisedën e fundit me burrin e saj për të cilin thotë se doli të takonte një shok por nuk u kthye më.

“Më 23 gusht në 8 të darkës burri doli nga shtëpia. Doli të takonte një shok por nuk u kthye më. Që me 23 gusht nuk kam asnjë të dhënë. E mora në telefon, e kishte të fikur. Policia na tha se është në kërkim të tij. Gjashtë ditë janë shumë sepse burri s’ka bërë ndonjë krim, as është ngatërruar. Nga ora 8 e 20 e 23 gushtit deri në orën 9 e ca e ka pas telefonin e ndezur dhe më jo”, tregoi gruaja.

Për nipin Agron Mollaj, Saimira thotë se ai është larguar një orë më pas nga burri i saj.

“Nipi i tij ka dalë në orën 21:30, një orë më pas e nuk u kthye më. Burri im punonte në Shkodër për bukën e gojës”, thotë ajo.

“Burri im ka qenë i qetë, nuk ka pasur asnjë shqetësim. I kërkojmë shtetit, policisë, mediave në Shqipëri vetëm me e gjet ku ndodhet”, apelon gruaja.

Burimi: BalkanWeb