Gazetari Eni Ferhati është shprehur se i shumëkërkuari i zhdukur prej 9 gushtit, Ervis Martinaj ka pasur konflikte të mdha edhe për prona. I ftuar në emisionin “Revieë” në Euronews Albania, Ferhati u shpreh se Martinaj kohët e fundit ishte fuqizuar sa i takon çështjes së pronave. Sipas tij, kjo gjë mund të ketë sjellë konflikt edhe me nivele të larta të politikës.

“Në dijeninë time ka pasur probleme të tjera edhe me biznesmenë të nivele të ndryshme. Është lakuar në fakt, jo zyrtarisht që konfliktet e tij të hapura kanë prekur edhe nivele shumë të larta të politikës, sa i takon edhe çështjes së pronave,”- theksoi ai, por pa dhënë detaje për cilat prona bëhet fjalë.

Në burg pas zhdukjes së Martinajt ndodhet ish-efektivi Jeton Lami, i cili kohët e fundit është raportuar se ka folur para tre prokurorëve që kanë dosjen në dorë. Ai u arrestua pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.