Prej 4 muajsh nuk dihet asgjë sa i përket fatit të Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur dhe nuk dihet asgjë për të.
Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, është pyetur nga gazetarët se çfarë po ndodh me hetimet për këtë rast. Numri 1 i Policisë së Shtetit ka deklaruar se janë pranë zbardhjes së këtij rasti.
Pyetje: Kisha dy pyetje që nuk kanë lidhje me samitin por kanë interes për publikun. E para lidhet me një porosi që ju ka lënë Kryeministri për të marrë një përgjigje sa më të shpejtë për të informuar publikun se çfarë është bërë me një të shumëkërkuar si Ervis Martinajn? Pyetja e dytë lidhet me operacionin që është zhvilluar mes Policisë Shqiptare dhe Europolit për goditjen e Call Centerave por një media publikoi një shtetas shqiptar i cili punonte pak muaj në Ministrinë e Mbrojtjes dhe që dyshohet të jetë koka dhe kreu i kësaj organizate e cila zhvat qytetarët. Keni pasur bisedime me Policinë Spanjolle për letërporosi për informacione në lidhje me këtë shtetas?
Muhamet Rrumbullaku: Absolutisht Policia e Shtetit është në rrugë për hetimin e rastit për të cilën ju i referoheni. Zoti kryeministër ka kërkuar nga Policia e Shtetit zgjidhjen e rastit për të cilën mendojmë dhe gjykojmë se ne jemi në rrugën e mbarë për të zgjidhur rastin.
Së dyti përsa i përket operacionit të përbashkët, po kemi patur korespodencë, jemi në një grup hetimi të gjërave me Prokurorinë e Posaçme dhe vazhdojmë të jemi në një rrugë të mbarë për të gjithë personat të cilët i shmangen drejtësisë qoftë brenda apo jashtë territorit të republikës së Shqipërisë, vjen momenti në kuadër të shkëmbimit të informacionit për vënien para drejtësisë së autorëve.