Kur kanë kaluar gjashtë ditë nga zhdukja e Ardiano Jahos dhe Ariseld Mazes nga Vlora, policia nuk ka asnjë sinjal për vendndodhjen e tyre. Policia kufitare e Durrësit kërkoi në zonën bregdetare për skafin e zhdukur, pyeti mjetet në lundrim por deri tani asnjë gjurmë nga mjeti lundrues nuk është vënë re.

Në policinë e Durrësit nuk ka një denoncim zyrtar, dhe policia e Durrësit nuk ka nisur hetime. Në këto kushte, krahas kërkimeve, policia e Vlorës zhvillon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, thanë zyrtarisht drejtuesit e policisë së Durrësit.

Me gjithë angazhimin maksimal të strukturave të ndryshme për gjetjen e tyre, deri sot fati i tyre mbetet mister. Deri dje kërkimet ishin fokusuar në drejtime të ndryshme nga toka, dhe deti, por rezultuan të dështuara. As skafi dhe asnjë shenjë nga dy vlonjatët e zhdukur, të cilët dyshohet se kanë dalë në det në bregdetin e Durrësit në datën 4 korrik.

Në kushtet kur nuk ka asnjë shenjë të skafit dhe dy të zhdukurve, policia dyshon atë të mbytjes në det dhe të zhdukjes së qëllimtë të dy vlonjatëve. “Ata nuk rezultojnë as të kenë hyrë e as të kenë dalë nga porti i Durrësit. Mund të jenë nisur nga ndonjë plazh, por gjatësia e bregdetit është 65 km vijë bregdetare. Mund të jenë nisur nga kudo e nuk e dimë akoma”, pohuan burimet për “DurrësLajm”.

Sipas Kapitanerisë së Durrësit, në kohën që rezulton të jenë zhdukur dy vlonjatët, deti ka qenë shumë i trazuar. Të njëjtat burime thonë se nga data 2-3 korrik dhe deri në datën 5, anijet e peshkimit nuk kanë dalë në det pasi deti ka qenë shumë i trazuar.

K.H.