TIRANE, 5 dhjetor 2013 – Ish-shefi i IT-së në Tatime, Renald Riska ka mbërritur pasditen e sotme në Prokurorinë e Tiranës, për të dëshmuar në lidhje me fshirjen e serverit të tatimeve dhe zhdukjen e mijëra deklaratave fiskale të bizneseve. 
Mësohet se Riska është paraqitur në organin e akuzës, i shoqëruar nga avokati i tij Ilir Murati, ndërsa ka dhënë shpjegime përpara prokurorit Julian Zonja, lidhur me fshirjen e serverit të Tatimeve, për të cilën akuzohet nga drejtoresha e Tatimeve. Sipas burimeve nga prokuroria, Renald Riska ka mohuar të ketë fshirë serverin e Tatimeve. 
Një ditë më parë, ish-shefi i IT-së në Tatime doli në një konferencë për mediat, ku zbardhi kërcënimin që sipas tij, i ka bërë drejtoresha e tatimeve si dhe momentin kur ai dhe stafi i tij konstatoi fshirjen e të dhënave. 

"Më 15 nëntor ditë e premte janë prezantuar disa njerëz të ministrit dhe kryeministrit për të marrë disa të dhëna që dispononte administrata tatimore. Me urdhër të drejtoreshës së përgjithshme këto persona janë futur për të marrë të dhëna, që ligji e përcakton qartë kush e merr dhe si i merr dhe këto të dhëna. Këto persona u futën në mënyrë të paligjshme dhe i morën të dhënat në mënyrë të paligjshme. Kopjuan të dhënat e administratës tatimore dhe nuk e di ku i kanë cuar. Që nga e premtja në të diel punuan ditë e natë për të marrë këto të dhëna. Nga stafi u verifikua ndërhyrje në sistemin e të dhënave dhe shihet që data e deklarimit nuk ishte data 18 por kishte ecur 20 madje dhe data 31. Mes këtyre dhe ambasada e gjermane dhe italiane, te gjetura si të deklaruara me vonesë. Po këto ndryshim datash janë bërë dhe më datën 19. Këta persona kanë marrë të dhëna për 20 vitet e fundit. Më datën 21 ditë e enjte nga stafi i brendshëm i IT evidentohet ndërhyrje në të dhëna duke mos gjetur deklarata tatimore që i kishte deklaruar biznesi në sistemin elektronik. Si funksionar kam organizuar grupin e punës për të evidentuar rastin dhe për të gjetur çfarë kishte ndodhur. Ne ende pa evidentuar rastin thirremi nga drejtoresha për të dhënë sqarime, të cilat ne nuk i kishim. Ajo që mora ishte një kërcënim i qartë ti e ke vendin në burg dhe do shkosh në burg. Dhe kështu ndodhi pak minuta më vonë paraqitet polica me oficerët e saj dhe filloi të na merrte ne pyetje dhe të merrte të dhënat dhe i jemi mbajtur në zyrtar tona prej orës 1 deri në 8 të darkës në prezencë të policisë. Rreth darkës jemi shoqëruar në polici i gjithë stafi i IT, më pas për mua ka dalë një urdhër arresti dhe jam arrestuar po atë darkë, të vetmi persona që e morën vesh ishte familja. Pata daljen në gjykatë ditën e diel ku u konsiderua i paligjshëm arrestimi. Faqja elektronike e tatimeve nuk funksionin më pasi janë fikur sistemet. Tashmë sistemet nuk deklarojnë pasi e bënin vetëm online, dhe nuk paguajnë dot, mospagesa është në dëm të buxhetit të shteti."- shpjegoi Riska.