Një biznesmen nga Vlora dhe ndihmësi i tij rezultojnë të zhdukur në det që prej gjashtë ditësh. Bëhet fjalë për 52-vjeçarin, Adriano Jaho dhe 28-vjeçarin Ariseld Maze, të cilët kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre që më 3 korrik. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, por edhe familjarëve, Jaho dhe Maze kishin dalë në bregdetin e Durrësit për të provuar skafin në det, të cilin e kishin riparuar në një servis në Durrës dhe që prej asaj dite nuk janë kthyer më në banesë. Mësohet se mjeti i zhdukur është një motoskaf me një gjatësi 8 metra e 20, me dy motorë 250 Mërkuri dhe me dokumentacion të rregullt.

Të dy personat e zhdukur ishin të apasionuar pas peshkimit dhe njohës të mirë të detit. Ata dilnin shpesh për peshkim. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së tyre, por personi i fundit që ka folur me ta është një mik i Jahos. Burimet e mësipërme pohuan se familjarët kanë bërë denoncim më datën 5 korrik. Ata kanë deklaruar se biznesmeni ka pasur një bisedë të fundit me SMS me një mikun e tij, të cilit i kanë thënë: “Hajde më sill karrel, se mjeti po merr ujë”. Të pyetur në lidhje me këtë ngjarje, burime zyrtare nga Policia Kufitare e Durrësit deklaruan dje për “Gazeta Shqiptare” se menjëherë pas sinjalizimit për zhdukjen në det të dy personave nga Vlora kanë bërë verifikimin e regjistrave për hyrje-daljet.

Sipas kufitarëve, nga verifikimet e bëra nuk rezulton se dy të zhdukurit kanë hyrë dhe kanë dalë nga porti i Durrësit. “U vumë në dijeni për zhdukjen e tyre nga policia e Vlorës, por Qendra Ndërinstitucionale Detare nuk na dha informacion për skafin. Ne bëmë kërkime për ta, por nuk rezulton që të kenë hyrë e dalë në këtë port”, u shprehën burimet nga Policia Kufitare e Durrësit. E ndërsa po vijojnë kërkimet për gjetjen e biznesmenit Adriano Jaho dhe ndihmësit të tij, Ariseld Maze, familjarët e këtyre të fundit i bëjnë apel policisë për gjetjen e tyre.

Fabio Jaho, djali i biznesmenit pohoi se është e çuditshme dhe e mistershme që babai dhe shoku i tij të zhduken në mes të korrikut, kur ndodheshin vetën 2-3 milje nga bregu i detit. Ai dyshon se i ati mund të jetë ndaluar nga policia dhe ua mbajnë të fshehtë.

Flet babai i Ariseld Mazes

Pas zhdukjes së biznesmenit Adriano Jaho dhe 28-vjeçarit Ariseld Maze ka reaguar dhe babai i këtij të fundit. Përparim Maze dje pohoi se i biri e kishte pasion detin dhe që kur ishte i vogël e merrte me vete për peshkim në det. Pavarësisht se kanë kaluar disa ditë që i biri është zhdukur, Përparimi shpreson se djali mund të jetë gjallë. “Djali më tha se do të shkonte në Durrës se do të provonin një mjet lundrues dhe do të kthehej brenda ditës. Por që nga ai moment, nuk kemi pasur asnjë informacion për fatin e tij. Ai ka harruar dhe telefonin në shtëpi dhe nuk e kishte me vete atë ditë”, deklaroi Përparim Maze.

Ndërkaq, ai tha se djali i tij nuk ka pasur probleme. “Nuk kemi asnjë problem, as ne si familje dhe as djali. Ne kemi bërë denoncim, nuk dimë më ku të përplasemi. Unë u bëj apel organeve kompetente që të më gjejnë tim bir. Dua të më thonë se ai është mirë, është gjallë”, tha babai i 28-vjeçarit.

DJALI I BIZNESMENIT

Zhdukja misterioze e biznesmenit 52-vjeçar dhe e 28-vjeçarit Ariseld Maze ka alarmuar familjarët e tyre. Fabio Jaho është kthyer nga Italia pas lajmit për zhdukjen e të atit. Ai tregoi bisedën e fundit të babait të tij me një mik, vetëm pak çaste para zhdukjes në det, ku ka kërkuar ndihmë, pasi skafi po fuste ujë. “Unë kam qenë në Itali kur më ka marrë mamaja në telefon, e cila më ka thënë se babai kishte shkuar në Durrës për të provuar skafin pas servisit duke dalë në det dhe nuk ka ardhur më. Dy ditë pas zhdukjes së babait, vëllai ka bërë denoncim në polici. Sipas asaj që jemi informuar, kontakti më babanë ka qenë kur ka dalë në det së bashku me një shokun e tij, ndërsa më pas telefonat dilnin të fikur, nuk kishim asnjë kontakt. I fundit që ka kontaktuar me babanë ka qenë një shoku i tij. Im atë i ka thënë, që ‘nxirrni karrelin se skafi po fut ujë’ dhe pas këtij momenti nuk ka pasur më asnjë kontakt tjetër. Kemi pasur kontakte me policinë që në momentin e parë kur kemi bërë denoncim. Policia na ka thënë që të mos shqetësohemi. Ne kemi shkuar, por nuk na kanë thënë asgjë. Babai nuk ka pasur asnjë kërcënim, apo të kemi ndonjë problem tjetër, është e çuditshme kjo që ka ndodhur”, pohoi djali i biznesmenit.

Ky i fundit tha se një problem të ngjashëm, babai i tij e ka pasur dhe në nëntor të vitit të kaluar. “Nga ajo që dimë, babai dhe djali tjetër kanë marrë skafin dhe e kanë nxjerrë në det. Më parë e kanë nxjerrë mjetin nga servisi dhe kanë lënë hapur dy tapat që nxjerr ujin mjeti. Ai natën e fundit që është zhdukur ka thënë sillni karrelin se skafi po merr ujë dhe nuk po e nxjerr ujin. Çunat kanë shkuar pas një ore për të nxjerr karrelin, por më pas nuk janë bërë të gjallë. Ai mund të ketë qenë 2-3 milje larg. Babai është i apasionuar pas detit dhe të humbë njeriu në mes të korrikut anës detit, kjo nuk është normale”, tha djali i biznesmenit.