Durrës, 16 mars 2014– Teuta vazhdon serinë e barazimeve dhe ende nuk po gjen rrugën e fitores që do t’i jepte tre pikë tepër të nevojshme për skuadrën durrsake. Ndeshja midis Flamurtarit dhe Teutës ka përfunduar 0-0 dhe në këtë takim edhe pse durrsakët kanë patur raste për shënim përballë një Flamurtari që nuk ishte i qartë në lojën e tij, djemtë e detit nuk kanë mundur të shënojnë dhe të marrin tre pikëshin në trasfertë. Ndeshja ka patur ritëm dhe raste shënimi, por skuadrat kanë luajtur me kujdes duke u ruajtur se mos pësonin gol. E kështu takimi përfundoi në barazim me rrjeta të paprekura, rezultat që nuk i shërben asnjërës prej skuadrave.
Durrsakët nuk e thyejnë dot “tabunë” në Vlorë. Ata kanë pesë vite pa fituar përballë Flamurtarit. Në afro pesë vitet e fundit, në të gjitha përballjet e luajtura në transfertë kundër vlonjatëve, “djemtë e detit” kanë pësuar katër humbje, ndërsa kanë marrë tri barazime përfshi edhe këtë të fundit, gjithnjë për sa u përket takimeve të zhvilluara në kuadër të kampionatit. Për herë të fundit, Teuta ka fituar 3-0, falë golave të Bledar Hodos, një autogoli të Sakajt dhe golit të Vangjel Miles. Nga skuadra e sezonit 2009-2010, në fushë në fitoren e fundit kanë qenë titullarë Hodo e Jakupi, të cilët janë aktualisht pjesë e rëndësishme e formacionit të Teutës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





