Nga Ndriçim Mehmeti

Në periudha të ndryshme të historisë, kanë ndodhur shpërngulje masive të popullsive. Faktorët kanë qenë nga më të ndryshmit. Ftohja e madhe, i nxehti i padurueshëm, luftërat, etja për pasuri dhe toka të reja e me radhë. Me kalimin e shekujve dhe modernizmin e jetesës, u modernizuan edhe arsyet e ikjes së njerëzve në mënyrë masive. Genocid, shfarosje të etnive të ndryshme, faktorë politikë dhe së fundi ato ekonomikë. Kur pas vitit 1990, rrëzimi i Murit të Berlinit krijoi përshtypjen e zhvillimeve pozitive dhe fundit të mjerimit ekonomik, social e shpirtëror, pikërisht aty filloi të mahiset plaga, që pak kush e vuri re, ose më mirë nuk deshi ta vështronte. Popujt e çliruar nga komunizmi dhe diktatura disa vjeçare, nuk mund të ngopeshin me “fjalë të mira dhe gurin në trastë”, siç thotë populli, por me qëndrime të vendosura, ndihmë konkrete, për të kuptuar realitetin e ri. Në pjesën më të madhe të atij që quhet rajoni i Ballkanit Perëndimor, diktatura u zëvendësua nga demokraci të brishta, ku autoritarizmi nxirrte kokë herë pas here. Kohë pas kohe populli, dëgjonte që të dërguarit e Evropës dhe Amerikës, “inkurajonin autoritetet në rrugën e nisur” dhe “autoritete vendase, siguronin miqtë e huaj që do të bënin të pamundurën për të mirën e popullit dhe demokracisë”. Në fakt, në shumicën e rasteve ndodhte e kundërta dhe këtë evropianët e kanë ditur dhe e dinë shumë mirë. Edhe pse zgjedhjet kishin probleme, ata thoshnin se ishim një hap para dhe dy mbrapa, por vetëm kaq. Edhe pse ekonomia vuante dhe gërryhet çdo ditë e më shumë nga korrupsioni, përsëri evropianët thonë se jemi në rrugë të mbarë. Të njëjtin mendim kanë edhe FMN e BB. Edhe këta të fundit kanë eksperimentuar jo pak. Aprovuan taksën progresive, por tani mund të kthehemi përsëri tek taksa e sheshtë. Hartuam një draft për disa taksa, por mundet edhe ta zëvendësojmë me një tjetër draft. Perspektiva e ekonomisë, punësimit, shërbimeve, rritjes së fuqisë blerëse? E ç’rëndësi kanë ato. Në aspektin makroekonomik, “Shqipëria, është një vend i stabilizuar”, “bankat kanë likuiditete”, “duhet bërë pak kujdes me shpenzimet”, se kismet nga janari dalim faqebardhë. Ulim pak shpenzimet për letër formati, atë higjenike dhe për shpërblimin e punonjësve dhe mund të balancojmë humbjet në doganë e tatime, për të cilat “fajin e ka kush e ka, qeveria nuk e ka”. Po zhvillimi ekonomik i vendit, bujqësia, shërbimet, turizmi, investimet e huaja, kanë ndihmuar në rritjen e punësimit, një element i rëndësishëm i rritjes së mirëqenies së popullsisë? Për këtë nuk do t’ia dijë njeri dhe nuk flet askush. E njëjta gjë ndodh me fenomenin më të dhimbshëm, social, politik, ekonomik e shpirtëror, ai i largimit të qindra familjeve për çdo javë, muaj e vit, prej vjeshtës së vitit 2014. Ashtu sikundër e themi në krye të herës, jemi në kohën e shpërnguljeve të mëdha, apo në realitetin e zhgënjimeve të mëdha të popujve? Prej Afrikës Veriore, Turqisë, e vendeve të tjera, nuk ndalen anijet mbi kapacitet për të zbritur në Itali, Greqi, Spanjë, Australi e gjetiu. Nga Kosova, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, autobusë të tërë vërshojnë në Gjermani e Francë. Eurotuneli që të çon në Britaninë e Madhe, është kthyer në tunelin, ku në fundin e tij, mund të rrezatojë drita e shpresës për shumë njerëz. Ikin shumë, çdo ditë. Sirianë, tunizianë, marokenë, algjerianë, shqiptarë, serb, maqedonas e gjithë farë njerëzish që ëndërrojnë për një jetë më të mirë. Ikin njerëzit që kanë vite në konflikte civile. Atyre u bashkohen qytetarët evropianë të Ballkanit, që për fat, nuk janë në asnjë konflikt civil, fetar apo etnik. Ikin nga sytë këmbët shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës, Medvegjit e Bujanovcit. Po qytetarët tanë pse ikin? Përse në sytë tanë rishfaqen skenat e harruara të anijeve që mbusheshin në Durrës, Vlorë, e Shëngjin? Nuk kemi asnjë luftë dhe dhëntë Zoti të mos provojmë asnjë të tillë. Nuk kemi asnjë konflikt civil, fetar apo etnik. Por kemi një gjëmë edhe më të madhe se kaq. Zhgënjimin e tejskajshëm të prodhuar në disa vite e që shpërtheu pa kontroll, në vitet e fundit. Tani nuk bën më punë të thuash, se “unë e di që jemi të varfër por jemi më mirë se kur ishte ai para meje”. Nuk mjafton të gënjesh njerëzit “se fajin e ka kriza ekonomike botërore, se mund të ishim mirë”. As nuk bën shumë fajde të mburresh se “Evropa ka nevojë për Shqipërinë dhe Shqipëria ka nevojë për Evropën”. Kush beson më se vendi është më mirë, kur njerëzit humbasin vendet e punës, kur arkës së shtetit i mungojnë milionat, kur fëmijët rrihen prej prindërve, se nuk mund të kenë lek për një akullore apo një çokollatë. Si mund të ndalësh hemorragjinë e njerëzve të vendit tënd me konferencat e shtypit të zëvendësministres së Brendshme, apo krerëve të lartë të policisë së shtetit? A ka marrë mundimin kryeministri të mësojë se çfarë i shtyn bashkatdhetarët e tij “të nisen në një rrugë pa krye”, siç pretendojnë ai dhe vartësit e tij? A e ka pyetur veten kryeministri, se përse shqiptarët duhet të pranojnë parajsën që ai u ofron në vendin e tij me rritjen e pensioneve 1.4%, uljen e rrogave për shkak të inflacionit, ngrirja e pagave për dy vjet, pamundësinë për të gjeneruar vende të reja, punë, largimi masiv i punonjësve nga administrata publike për bindje politike? Me siguri që jo. Duket qartë se ndërsa shtetasit e tij, përjetojnë zhgënjimin e madh, ai përjeton iluzionin e tij më të madh. Zhgënjimi i madh nuk të jep shumë arsye. Në kokën e të zhgënjyerit rregullat e Shengenit, as që nuk kanë pikë rëndësie. Ëndrra e prishur e Evropës, rikthimi i vizave edhe këto nuk zënë ndonjë vend të veçantë. Në fund të fundit, një qytetari të lumit të Vlorës, Gllavës, Potomit, Bujanit, Bicajt, Kukësit, Pukës, Malësisë së Vlorës, që nuk i ka rënë rasti të zbresë në kasaba tani e pesë vjet të shkuara, ç’punë i prish nëse mund  të humbasë rrugën e BE-së për pesë vjet?

Ai është i lumtur kur hipën në autobus edhe pse lekët i ka marrë borxh. Kushedi mendon me vete, “do Zoti dhe më ndihmon të gjej punë të ushqej kalamajtë, ose të paktën gjermani të mbaj ndonjë fëmijë, që të heq pak barrën nga kurrizi”. Ato pak euro që i jepen azilantit, siç i quan gjermani, për shqiptarin e varfër janë një goxha pasuri. Ato rëndojnë shumë në xhep. Vlera morale e tyre, është edhe më e lartë në sytë e bashkëqytetarit tonë. Ndërsa në vendin e tij, në rastin më të mirë qeveria i jep atij rreth 50 euro në muaj si ndihmë ekonomike për të gjithë familjen, për të përballuar gjithçka prej ushqimit e deri tek ilaçet, gjermani që s’ka asnjë detyrimi ia jep për pare xhepi, 145 euro për çdo person. Shteti i tij, nuk interesohet shumë për punë, përveçse një sektori siç është call center, politika gjermane ka lëvizur e gjitha për të krijuar mundësi që këta njerëz, të gjejnë sado pak lumturi, duke punuar në sektorë ku ka nevojë. Shqiptarët nuk do të lëvizin prej atij vendi, sado emisione të bëjmë, të dërgojmë misione në kufi të çojmë ne, të sjellim oficer gjerman në Shqipëri. Ata janë të lumtur që janë në Gjermani. Nuk ka rrugë tjetër për t’i shpëtuar zhgënjimit, veç ikjes pa kthyer kokën pas. Në fund të fundit njeriu një jetë ka. Në këtë jetë ai kërkon të provojë rrugë të ndryshme për të gjetur fatin e tij, të provojë forcat e tij, dhe së fundi të mundohet t’ia dali, pa thënë çdo ditë se “kush e di ç’ka rezervuar Zoti për mua”. Mirëpo edhe Zoti të ndihmon, vetëm në rast se t’i i jep një dorë vetes. Nuk është epoka e shpërnguljeve të mëdha, është zhgënjimi i hidhur që po shpopullon Shqipërinë, nën vështrimin endës të iluzionistëve qeveritarë.

Marrë nga “Mapo”, 14 gusht 2015