2 qershor 2015 – Sezoni 2014-2015 dha disa verdikte interesante në kampionatet më të ndjekur të Europës ku fituesit morën gjithçka dhe humbësit mësuan nga gabimet për të korrigjuar të ardhmen. Futbolli është loja më e ndjekur në planet por përveç gëzimit, ka edhe një anë të errët, atë të humbësve të mëdhenj. Ligjet e pashkruara të kësaj loje janë të pamëshirshme me humbësit që përveç lojës sportive humbasin miliona euro investime dhe energji e pasion për të vazhduar në rrugën e nisur. Nuk mund të numërohen me gishtat e njërës dorë skuadrat që kanë zhgënjyer gjatë sezonit të fundit sepse janë më shumë se kaq.
Në Serie A radha është e gjatë në rreshtin e skuadrave që zhgënjyen. Epiqendra mbetet Milano me Interin dhe Milanin që vazhdojnë të humbasin terren. Era po fryn me drejtim nga kryeqyteti i vërtetë i vendit fqinjë me Romën dhe Lazion që po tregojnë muskujt ndaj dy klubeve historikë të Italisë. Derbi i Madoninas që për dekada të tëra ka mbajtur gjallë frymën e futbollit në Serie A është kthyer në përmasat normale të një 90-minutëshi pa emocione, dashuri dhe dëshirë për të fituar. Milan dhe Inter nuk kanë arritur ta kapin trenin e ndryshimeve të mëdha që po pëson ana menaxheriale e futbollit dhe tashmë janë në pozitat kur duhet të rinisen nga e para për t’u rikthyer në majën e futbollit italian. Kuqezinjtë e mbyllën sezonin në vendin e 10 me vetëm 3 pikë më shumë se Sassuolo. Kaq mjafton për të ilustruar sezonin katastrofik, ndërsa Interi tentoi të mbante lart flamurin e qytetit por pa ia dalë mbanë. Sezoni rezultoi gati gati katastrofik edhe për Napolin e nisur mes pritshmërive të mëdha por ndeshja e fundit me Lazion nuk mjaftoi për të justifikuar milionat e shpenzuara në merkato në mënyrën më të keqe. Tre skuadra që dalin nga ky sezon të ridimensionuara por me shumë pengesa përpara.
Në Spanjë, Reali i Madridit është padyshim skuadra që zhgënjeu në mënyrë spektakolare. Mes milionave të çmendura që Perez i shpenzon pa u menduar dy herë qëndron dështimi i një sezoni totalisht për t’u harruar. Një klub që mendon më shumë për marketingun nuk arrin të përqëndrohet te magjia që dhuron futbolli dhe “Los Blancos” mbeten galaktikë vetëm në kopertina sepse Barcelona rrëmbeu gjithçka falë gjenialitetit të njerëzve që jetojnë vetëm me futbollin. Ringritja e kryeqytetit ishte thjesht një iluzion sepse Atletico dhe mbi të gjitha Reali nuk arritën ta dominonin luftën sportive të gadishullit. Cristiano Ronaldo i vetëm në sulmin “merengues” nuk mjaftoi sepse Bale dhe Benzema mbeten vite dritë larg treshes së ëndrrave të Barcelonës. Diferenca është pikërisht sulmi.
Barcelona goditi në shenjë me afrimin e Suarez ndërsa Reali po qan formën e dobët të uellsianit dhe francezit në një sezon për t’u harruar. Rafa Benitez ka detyrën e vështirë të shërojë plagët e marra këtë sezon por ringritja e kësaj skuadre është një mision i vështirë. Bundesliga e këtij sezoni është finishi i një projekti magjik dhe prestigjoz për një skuadër legjendare si Borussia Dortmund. 9 muaj ferri për djemtë e Jurgen Klopp që e nisën fazën e dytë nga vendi i fundit në klasifikim edhe pse në fillim të sezonit kishin pritshmëri të tjera. Rrëzimi i Borussias është treguesi më i qartë i futbollit modern se lëvizjet e gabuara në merkato mund ta rrëzojnë një klub në humnerë sa hap e mbyll sytë.
Zona Europa League nuk është aspak e mjaftueshme për një skuadër që e luan çdo ndeshje përpara 70 mijë tifozëve të saj në një stadium që meriton shumë më shumë. Dhimbje dhe ankth, këto janë dy ndjesitë që kanë përshkuar mbështetësit e klubit nga Ruhri gjatë një sezoni të lodhshëm dhe zhgënjyes ku Klopp ngriti flamurin e bardhë duke marrë përsipër përgjegjësitë. Borussia Dortmund duhet të rinisë një rrugë të gjatë mes shumë udhëkryqeve, epoka e artë ka përfunduar. Në Angli radha është e gjatë. Liverpool, Manchester City por edhe United duhet të pastrojnë rrënojat e projekteve të dështuara. “The Reds” i dhanë lamtumirën në mënyrën më të keqe kapitenit Gerrard. Vendi i 6 nuk mjafton për të mbushur vrimat e zeza financiare të krijuara pas merkatos së dështuar një vit më parë. E njëjta situatë paraqitet edhe për Manchester United ku Van Gaal theu kufijtë logjikë të merkatois duke shpenzuar miliona euro vetëm për një vend të katërt që siguron eleminatoret e UEFA Champions League.
Në shkallën e tretë të podiumit qëndron Manchester City që të vetmin ngushëllim ka vendin e dytë por edhe ky detaj është shumë pak për të justifikuar punën e Manuel Pellegrinit. Kampionët ia dorëzuan trofeun Chelseat në mënyrë paqësore pa bërë asnjë rezistencë dhe ky është një zhgënim i madh për sheikët që kanë ndërtuar një skuadër mbi bazën e milionave. Në fund qëndron Ajaxi i Amsterdamit që e humbi kampionatin holandez shumë javë përpara fundit. PSV Eindhioven theu hegjemoninë e harkëtarëve të cilët dominonin që prej 4 sezonesh dhe De Boer u dorëzua në duelin e zhvilluar në distancë vetëm gjatë fazës së parë. Eredivisie nuk pati histori, PSV Eindhoven i dha një leksion të vërtetë skuadrës kryeqytetase.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/