Në prag të sfidës së rëndësishme të së shtunës ndaj Vorës, Teuta vijon përgatitjet me seriozitet maksimal, ndërsa atmosfera në skuadër duket pozitive. Një nga lojtarët që ka marrë përgjegjësi të rëndësishme në këtë fazë të sezonit është mbrojtësi Vasil Zhongo, i cili flet për gjendjen e ekipit, pritshmëritë ndaj kundërshtarit dhe objektivat për ndeshjen që vjen. Zhongo tregon se grupi është i vendosur të bëjë një paraqitje solide dhe të vulosë një tjetër rezultat pozitiv për të qëndruar në rrugën e duhur.

Si po përgatitet skuadra dhe si është atmosfera në ekip?

Atmosfera është shumë pozitive. Pushimi i Kombëtares na ka dhënë besim dhe këtë javë kemi punuar me intensitet të lartë. E dimë që ndaj Vorës nuk do të jetë e lehtë, por grupi është i bashkuar dhe i motivuar. Gjithmonë kur vjen një ndeshje e rëndësishme, në ekip ndjehet energji e veçantë.

Çfarë mendimi ke për kundërshtarin, Vorën? Çfarë prisni nga ndeshja?

Vora është një skuadër që di të të vërë në vështirësi. Kanë ritëm, janë agresivë dhe të organizuar mirë. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos lëmë hapësira. Pres një ndeshje të fortë, por nëse bëjmë lojën tonë, mund t’ia dalim.

Teuta ka treguar përmirësim kohët e fundit. Çfarë ka ndryshuar sipas teje?

Kemi filluar të jemi më të ekuilibruar si skuadër. Ne lojtarët po komunikojmë më shumë në fushë dhe po zbatojmë më mirë idetë e stafit teknik. Besimi po rritet pak nga pak dhe kjo reflektohet edhe në rezultatet.

Çfarë roli personal mendon se do të kesh në këtë ndeshje?

Unë gjithmonë përpiqem të jap maksimumin. Qoftë në fazën defensive, qoftë në aksionet përpara. Ndaj Vorës duhet të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri në të fundit. Nëse unë mund të jap siguri prapa dhe të ndihmoj edhe në organizimin e lojës, atëherë misioni im është i përmbushur.

A ndjeni presion për këtë sfidë, duke qenë se pikët janë shumë të rëndësishme?

Në futboll gjithmonë ka presion, por është presioni i bukur. Ne e dimë rëndësinë e pikëve, por nuk duhet të mbingarkohemi. Duhet të luajmë me qetësi dhe me besim te forcat tona. Nëse jemi vetvetja, nuk kemi pse të frikësohemi nga askush.

Çfarë mesazhi ke për tifozët e Teutës para ndeshjes së së shtunës?

Tifozët tanë janë fantastikë. I ftoj të jenë pranë nesh edhe këtë ndeshje. Na japin forcë dhe energji. Premtoj që do japim gjithçka për të marrë rezultatin që duam.