Pas barazimit pa gola ndaj Elbasanit, në një sfidë ku fati i mohoi Teutës të paktën dy herë gëzimin e golit, mbrojtësi i ekipit durrsak, Vasil Zhongo, analizon ndeshjen dhe flet për pritshmëritë në prag të duelit të rëndësishëm të së dielës ndaj Bylisit në transfertë. I qetë, por i vendosur, Zhongo thekson se ekipi është në rritje dhe se Teuta do të kërkojë me çdo kusht rikthimin te fitorja.

Teuta barazoi 0–0 me Elbasanin në një ndeshje ku kishit shumë raste. Si e lexon këtë rezultat?

Ishte një ndeshje e fortë, me ritëm të lartë, dhe besoj se meritonim më shumë. Krijuam raste të pastra, sidomos në pjesën e dytë, dhe personalisht mendoj se fitorja na iku nga duart. Futbolli nganjëherë është i padrejtë, por e rëndësishme është që skuadra po tregon rritje.

Skuadra goditi dy herë shtyllën. Mendon se këto episode ndryshuan rrjedhën e ndeshjes?

Absolutisht po. Kur topi të ndalet dy herë te shtylla, nuk mund të mos thuash se fati nuk ishte me ty. Ishin momente që mund të na jepnin qetësi dhe të çelnin lojën. Por nga ana tjetër, këto situata tregojnë se ne po arrijmë te rasti, po krijojmë presion dhe po kërkojmë fitoren deri në fund.

Si e vlerëson skuadrën në aspektin mbrojtës, ku bëni pjesë edhe ju?

Mbrojtja është bërë shumë solide. Jemi kompaktë, komunikojmë më mirë mes nesh dhe kemi krijuar besim. Normalisht, mbrojtja nis që nga sulmuesit, por edhe ne prapa kemi marrë përgjegjësinë për të qenë më agresivë dhe më të saktë. Këto janë meritë e gjithë ekipit, jo vetëm e repartit të mbrojtjes.

Të dielën përballeni me Bylisin. Çfarë ndeshjeje pret?

Bylisi është skuadër që nuk dorëzohet dhe ka shumë energji, sidomos në Ballsh. Pres një ndeshje fizike, me duel të fortë dhe pak hapësira. Por nëse luajmë me të njëjtin ritëm si ndaj Elbasanit dhe jemi më të saktë para portës, besoj se mund të marrim tri pikët. Ne do të hyjmë për fitore, pa diskutim.

A keni ndonjë mesazh për tifozët e Teutës?

Tifozët kanë qenë të jashtëzakonshëm. Edhe në momentet kur rezultatet nuk ishin në nivelin që donim, ata na kanë përkrahur. Dua t’u them që të vazhdojnë të besojnë. Skuadra po punon fort dhe objektivi ynë është të luftojmë për kreun. Shpresoj që të dielën t’i gëzojmë me një fitore.