Ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shoqëruar nga prokurorët e Prokurorisë së Tiranës dhe në prezencë të familjarëve të 12-vjeçarit, L.S., zhvarrosën trupin e pajetë të tij për t’iu nënshtruar autopsisë. Kujtojmë se i mituri humbi jetën tragjikisht më 8 janar të këtij viti në QSUT.
Ekspertët do të marrin mostra nga trupi i 12-vjeçarit dhe më pas do të dërgohen për ekspertim në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të zbuluar shkakun e vdekjes. Mjekët e QSUT-së deklaruan se i mituri L.S ndërroi jetë si pasojë e miokardit akut. Mirëpo familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime të tjera. Ata akuzojnë mjekët për neglizhencë në trajtim.
Pas vdekjes së 12-vjeçarit, familjarët fillimisht refuzuan kryerjen e autopsisë, por më pas, me nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës, e cila është kompetente për rastin, u vendos për kryerjen e autopsisë.
Reagimet e familjarëve kanë qenë të vazhdueshme. Madje ata protestuan duke kërkuar që hetimi të bëhet i plotë dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes së 12-vjeçarit nga fshati Pocestë i Maliqit.





