U ka vdekur babai, por dy djemtë e tij nuk kanë dashur ta pranojnë këtë si një humbje. Madje mendonin se përmes një riti të posaçëm fetar, ata do të mund ta risillnin atë sërish në jetë.
E për këtë arsye, kanë vendosur ta nxjerrin trupin e tij natën nga varri dhe ta ruajnë në një frigorifer, në pritje të momentit të duhur për t’i kryer ritin që sipas tyre do ta ringjallte.
Ngjarja e rrallë mësohet se ka ndodhur në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku dy burra, përkatësisht të moshave 38 dhe 48-vjeçare, kanë kryer aktin makabër të nxjerrjes në mes të natës nga varri, të trupit të vdekur të babait të tyre 92-vjeçar.
Por që i zbuluar nga forcat e policisë, ka bërë që ata të përballen tani me akuzën prej 10 vjet burg secili.
Gjithçka arriti të zbardhej në kohë, ndërsa trupi i zhvarrosur i të moshuarit të vdekur, ishte vendosur në një frigorifer prej tyre.
Ndërkaq, fqinjët e dy djemve, të marrë në pyetje më pas, kanë treguar sesi ata nuk e kanë përjetuar keq humbjen e babait të tyre dhe se në biseda e sipër, besonin se ai një ditë do të jetonte sërish me ta, pikërisht falë ringjalljes.