Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar paraburgim për Prokuroren Speciale në dorëheqje Katica Janeva për shkak të dyshimeve të bazuara për keqpërdorimin e detyrës dhe autorizimeve zyrtare e që lidhet me lëndën "Zhvatja".
Prokurori Shtetëror Publik në një konferencë shtypi njoftoi se nga dëshmitë e siguruara deri më tani ka bazë për zgjerimin e hetimeve për rastin "Zhvatja" edhe për Katica Janevën. Paraprakisht Prokurorja Speciale Katica Janeva është shoqëruar në polici nga banesa e saj në një Lagje të Shkupit.
Ndërkaq mediat në Maqedoninë e Veriut njoftojnë për një aksion të madh policor me urdhër të prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit e ku pritet arrestimi i një numër të madh të personave. Tani për tani nuk përmendën emra por në listën për arrestime, siç njoftojnë mediat janë edhe biznesmenë që kanë dhënë para në rastin "Zhvatja".