Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka reaguar ashpër në lidhje me skandalin e publikuar sot në media mbi një skemë mashtrimi të mjekëve të spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Në një deklaratë për mediat, Koçiu njoftoi se punonjës të tillë nuk kanë vend në sistemin e shëndetësisë, ndaj dhe është bërë shkarkimi i tyre.

Ministrja u shpreh se kjo duhet të marrë fund dhe se ata mjekë të përfshirë nuk e meritojnë ta mbajnë më bluzën e bardhë të veshur.

“Ngjarja e sotme të krijon një neveri të madhe, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe për punonjësit e shëndetësisë që funksionin parësor kanë humanizmin e shpëtimin e e jetëve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur. Personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit e procedurave administrative dhe të jetë e qartë që këta lloj personash nuk mund të ndotin bluzat e bardha, nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me përkushtim dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor”, u shpreh ministrja Koçiu.