Gjykata e Krimeve të Rënda pushoi gjykimin për ish-oficerin Ervin Dalipaj, i cili u ekzekutua gjatë një atentati mafioz tri javë në parë në Sukth të Durrësit bashkë me mikun Juxhin Dautaj.

Ish-shefi i sektorit të Antikrimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, po gjykohej në mungesë për akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes së Gazmend Çollakut, pasi prej më shumë se një viti jetonte në arrati.

Në seancën e së premtes, Prokuroria i paraqiti trupës gjykuese, çertifikatën e vdekjes së Ervin Dalipajt, e mbi bazën e saj u vendos dhe për pushimin e gjykimit të çështjes ndaj të ndjerit.

Po, ndërsa Denis Shtraza i dyshuar si bashkëpunëtori kryesor i ish-zyrtarit të policisë në krim, përballej seancë pas seance me drejtësinë, Dalipaj kishte zgjedhur të jetonte në arrati.

Madje, pikërisht ditën e ekzekutimit me 25 prill 2017, gjykata kishte shtyrë një nga seancat në ngarkim të të pandehurve Shtraza e Dalipaj, pikërisht për të njoftuar këtë të fundit.

Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti, u qëlluan për vdekje sapo kishin dalë nga një servis automjetesh në Sukth të Durrësit. Për atentatin e dyfishtë prokuroria po vijon hetimet, por duket se është ende shumë larg autorëve të dyshuar.

Hetuesit janë duke rrëmuar në të kaluarën e dy viktimave, për shkak se si Dalipaj, ashtu dhe Dautaj kanë patur probleme, i pari për akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes së Gazmend Çollakut, i dyti për vrasjen e ish-kampionit të Bilardos në Vlorë. /BW