Nga Qazim Kërtusha*
Prej gati dy vjetësh, Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka qëndruar i mbyllur për arsye të rikonstruksionit të tij, që sigurisht ka qenë më se i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Por tani që puna ka mbaruar, si qytetar dhe si punonjës për më shumë se 35 vjet, si restaurues në muze, dhe anëtar i stafeve të gërmimeve të shpëtimit, nuk ka si të pajtohem kurrsesi me tendencën për ta kthyer sërish këtë institucion të rëndësishëm thjesht në një ekspozitë, të ndarë nga fondet e tij prej 20 mijë objektesh.
Tashmë ka ardhur koha që këtij institucioni t’i jepet statusi i muzeut kombëtar, si muzeu i një qyteti antik mbi 3000-mijë-vjeçar, ku dhe nëntoka e tij me ligj është shpallur tokë muzeore. Ky institucion duhet të trajtohet si një qendër e rëndësishme shkencore, turistike, metodike dhe edukative. Është një fakt i pakundërshtueshëm që ky muze disponon mbi 4000 mijë eksponate, 20.000 mijë objekte dhe një portik – që duhet rindërtuar me objekte dhe fragmente elementesh arkitektonike – i cili dëshmon se Durrësi ka qenë në antikitet një qytet me ndërtime të mëdha dhe luksoze publike. Objektet tashmë të zbuluara, si amfiteatri romak, termat publike, forumi shek. VI e.s. e shumë copëza sitesh arkeologjike përbëjnë vetëm majën e një ajsbergu të madh arkeologjik që fshihet në nëntokën e tij. Qytetit i Durrësit, si në antikitet, edhe sot, është një qendër e rëndësishme social-ekonomike-kulturore, ku nuk gjendet asnjë 10-vjeçar i pabanuar, një korridor lindje-perëndim, qytet me det, me diell, me një prapatokë të begatë dhe shumë të pasur.
Durrësi, ndryshe nga qendrat e tjera të rëndësishme arkeologjike të vendit, si Apolonia, Butrinti, Antigonea, Bylysi dhe Finiqi – të cilat janë larg zonave urbane dhe krijojnë mundësi më të mëdha që gërmimet arkeologjike të planifikohen – kërkon një vëmendje më të thellë institucionale. Muzeut arkeologjik i është bërë vërtet një rikonstruksion fizik, duke iu shtuar një kat sipërfaqe ekspozimi. Por muzeu ka nevojë për një platformë shkencore, për një konceptim të ri shkencor dhe kurativ, të parë në vështrimin jo më si ekspozitë, por si një muze i mirëfilltë shkencor. Ai ka nevojë për sallë biblioteke, sallë leksionesh për studentët, për simpoziumet, dhe jo për bar-kafe si bonus për drejtorët e radhës – një modë jo shumë estetike, e përhapur rëndom në institucionet tona. Muzeu ka nevojë të trajtohet edhe si muze metodik për nxënësit e shkollave, për të mësuar se si prodhoheshin dikur objektet e ekspozuara.
Muzeu arkeologjik i Durrësit ka nevojë të pasurohet me eksponate të reja nga prurjet e gërmimeve të shpëtimit gjatë këtyre 20 vjetëve, ndërkohë që ndërtimi i portikut dhe muzeu duhet të trajtohen si bërthama e një ansambli të madh, së bashku me të gjitha objektet e tjera. Për amfiteatrin e Durrësit ka një projekt për gërmimin, konservimin, restaurimin dhe rivitalizimin e tij, për ta kthyer në një qendër të rëndësishme kulturore dhe turistike që do t'i bënte shumë mirë qytetit tonë. Ky projekt ambicioz duhet të fillojë sa më shpejt dhe të funksionojë si bazë për ndërtimin e një shkolle restaurimi, që kërkon një bashkëpunim midis arkeologjisë, pushtetit lokal, qeverisë dhe donatorëve. Muzeu duhet të ketë laboratorin e restaurimit, sepse shumë objekte të restauruara para 60 vjetësh kanë nevojë urgjente për restaurim. Kjo nevojë është tashmë akute për shumë panele mozaiku dhe afreskesh që janë zbuluar në gërmimet e shpëtimit. Muzeu nuk mund të trajtohet më thjesht si një shërbim turistik, por si një qendër shumë e rëndësishme shkencore.
Durrësit si qendër arkeologjike i mungon një strategji afatgjatë për gërmimet. Edhe pse me ligj nëntoka e Durrësit mbrohet si tokë-muze, trashëgimia e tij kulturore mbetet e rrezikuar, sepse mungon një hartë arkeologjike e plotë dhe e azhornuar.
Ne nuk dimë akoma ku gjendet biblioteka antike e qytetit, teatri apo stadiumi. Këto mangësi janë të pafalshme për një qytet të cilit në periudhën romake i është dhënë statusi i qytetit lider dhe njëra portë e tij, sipas burimeve, është quajtur “Porta e Diellit” dhe vetë qyteti “Taverna e Adriatikut”.
Në Durrës është aplikuar vetëm metoda e gërmimit të shpëtimit (përveç gërmimeve në nekropol). Nuk kemi një stratigrafi të plotë të shtresimeve kulturore, me justifikimin se në Durrës ka shumë ujëra nëntokësore. Metoda e deritanishme e arkeologjisë nëpërmjet lejeve të ndërtimit, sondazheve dhe gërmimeve të shpëtimit, në shumë raste ka sjellë negativitet, abuzivitet dhe prishjen e shtresave kulturore. Si rrjedhojë, sot kemi copëza panelesh mozaiku, termash, institute të përmbytura, të shkatërruara, që nuk janë në eficencë, ndërkohë që nuk është bërë asnjë projekt për konservimin dhe restaurimin e tyre për t'i kthyer në site arkeologjike. Këto site, që shpesh hasen në bodrume pallatesh të ndërtuara rishtazi, nuk është e qartë kush i menaxhon, të kujt janë, pronë e shtetit apo e privatit, dhe shumica akoma nuk janë shpallur monument kulture.
Pushteti lokal duhet gjithashtu të ketë akses në arkeologji, duhet të jetë pjesë integrale e tij. Përveç disa bashkëpunimeve ose koncerteve në amfiteatrin e Durrësit, Këshilli Bashkiak duhet të parashikojë fonde për projekte, sondazhe dhe gërmime të mirëfillta dhe t'u paraprijë projekteve pjesore dhe planit urbanistik.
Koncepti i zhvillimit që mëton rëndomtë që, po na pengon arkeologjia, duhet të tejkalohet. Zhvillimi i vrullshëm urban i qytetit duhet të jetë në simbiozë me ruajtjen e aseteve të vyera arkeologjike, duke bërë një zonifikim më shkencor me rregulla të forta juridike, i cili nuk lejon lëvizjen e vijave të zonifikimit për interesa meskine-klienteliste, që çon në shkatërrime të pariparueshme.
* Autori është skulptor i njohur nga Durrësi, restaurues. E ka nisur karrierën e vet 30 vjet më parë. Ai është njëri ndër skulptorët më aktivë në jetën artistike të Shqipërisë. Mes shumë veprave të tjera, ai është autor dhe bashkautor i shtatores së Aleksandër Moisiut në Vjenë të Austrisë, i shtatores së Haxhi Zekës në Pejë, i shtatores së dëshmorit të UÇK-së Indrit Cara, dhe shtatores së ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush në Fushë Krujë dhe i bustit të dom Nikollë Kaçorrit, zëvendëskryeministrit të qeverisë së pavarësisë.
http://www.balkanweb.com/





