Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Andrea Xhovara, komenton zhvillimet aktuale ekonomike dhe urbanistike të rajonit të Durrësit, por dhe perspektivën e tyre. Ideja e zhvillimit të Durrësit verior ku do të ndërtoheshin dy parqe, parku energjitik dhe parku industrial.  Sipas Xhovarës, mungesa e vizionit, por dhe mos zbatimi i ligjit kanë qenë faktorë që na kanë penalizuar në zhvillimet urbanistike dhe ekonomike, në një kohë që perspektivën e zhvillimit ai e shikon pikërisht në harmonizimin e këtyre dy komponentëve

Cili është vlerësimi juaj në lidhje me situatën aktuale urbanistike në Durrës?

Mungesa e qartësisë së zhvillimeve urbanistike në qytetin e Durrësit ka të bëjë me dy aspekte. Së pari me mungesën e planit të përgjithshëm rregullues, që është një dokument i shkruar dhe që tregon strategjitë e ndërtimit. Tregon rrugët, tregon hapësirat publike dhe ndërtesat në funksion me njëra-tjetrën, tregon lartësinë e ndërtesave sipas zonave etj. Ky studim çuditërisht është stërzgjatur dhe akoma nuk është aprovuar. Fatkeqësia e dytë ka qenë zhvillimi i qytetit sipas lejeve me studim pjesor. Është abuzuar shumë me termin studim pjesor, ku është marrë parasysh vetëm projekti i ndërtesës që do të vihet në funksion, në një kohë që studimi pjesor duhet të marrë parasysh të tërë zonën ku KRRT-ja e bashkisë së Durrësit duhet t’u tregonte gjithë qytetarëve se si do të zhvillohet e gjithë zona në tërësi. Në Durrës kanë ndodhur absurditete të tilla ku dikush ka ndërtuar ndërtesa tetë, dhjetë, pesëmbëdhjetë apo njëzet kate dhe fqinjët kanë mbetur viktimë e këtyre projekteve. Durrësi ka pasur mundësi të tjera zhvillimi, jo vetëm në pjesën e vjetër të tij, por dhe në veri. Plani i zhvillimit të ish-kënetës p.sh. është bërë nga studio italiane e Kozencës, por ky plan nuk u zbatua dhe dyndja e popullsisë bëri që të humbiste sipërfaqja e tokës. Po kështu u humb sipërfaqja e tokës nga Shkozeti deri në Shkallnur, e cila ishte mundësia e dytë e zhvillimit të qytetit. Po kështu kemi humbur mundësinë e dytë të zhvillimit të qytetit në drejtim të Porto-Romanos. Vazhdojmë të shfrytëzojmë tokën në mënyrë jo racionale. Në një sipërfaqe toke ku mund të ndërtoheshin ndërtesa të larta, sot kemi sipërfaqe toke të pushtuar me ndërtesa njëkatëshe. Ky është shfrytëzim irracional i tokës, që sjell pasoja të tjera, pasi duhen më shumë shpenzime për infrastrukturën, ujin, dritat, telefoninë kanalizime dhe shërbimet në përgjithësi. Problemi ynë nuk është se nuk kemi plane rregulluese, por se ne nuk zbatojmë ligjin.

Vazhdojmë të shfrytëzojmë tokën në mënyrë jo racionale. Në një sipërfaqe toke ku mund të ndërtoheshin ndërtesa të larta, sot kemi sipërfaqe toke të pushtuar me ndërtesa njëkatëshe. Ky është shfrytëzim irracional i tokës, që sjell pasoja të tjera, pasi duhen më shumë shpenzime për infrastrukturën, ujin, dritat, telefoninë kanalizime dhe shërbimet në përgjithësi. Problemi ynë nuk është se nuk kemi plane rregulluese, por se ne nuk zbatojmë ligjin

Cila sipas jush është zgjidhja për të dalë nga ky tunel urbanistik ku jemi futur?

Përsa i përket zgjidhjes, mund të them se të gjitha shpresat janë varur te plani i përgjithshëm rregullues, por për mua personalisht shpresa e vetme është zbatimi i ligjit. Po të shikojmë që nga viti 1995 ka disa plane rregullues të qytetit të Durrësit. Kujtojmë masterplanin e qytetit të Durrësit të përgatitur nga Universiteti i Peskarës, masterplani i zhvillimit të qytetit të Durrësit dhe zgjerimi i tij deri në Katund tw Ri, plani i Kozencës, madje dhe zona e plazhit ka pasur plan rregullues. Tani ne do të bëjmë planin e përgjithshëm rregullues, në një kohë që problemi ynë është se nuk zbatojmë ligjet. Nëse nuk koordinojmë interesat personale (këtu futen pronarët e tokave, investitorët dhe ndërtuesit) që duan fitimin e tyre dhe të komunitetit që kwrkon hapësira publike, atëherë nuk do të gjejmë kurrë zgjidhje. E thënë thjesht, deri tani interesat personale kanë mbizotëruar mbi interesat e përgjithshëm, duke gjunjëzuar ato që kanë vendimmarrjen. Pikërisht kjo na ka çuar në një situatë të tillë.

Duke u ndalur pak te drejtimet e zhvillimit ekonomik të rajonit të Durrësit, cilat sipas jush janë kolonat kryesore ku është mbështetur dhe duhet mbështetur në të ardhmen ky zhvillim?

Zhvillimi i përgjithshëm ekonomik i qytetit të Durrësit duhet që të mbështetet në katër pikat e forta të tij që janë a-pozicioni gjeografik i Durrësit dhe rajonit përreth, b-porti i Durrësit, c- pasuria e madhe kulturore e qytetit dhe d- bregdeti. Këto pika të forta kanë shërbyer dhe do të shërbejnë si pika referimi dhe mbështetëse të rajonit të Durrësit dhe qytetit të Durrësit në veçanti. Nëse do t´i merrnim me radhë duke nisur nga pozita gjeostrategjike e Durrësit, ne kemi mendimin që kjo pikë e fortë si qendra kryesore e hyrjes dhe daljes së mallrave, kapitaleve, njerëzve nuk është shfrytëzuar sa duhet. Fillimisht ishte ideja e zhvillimit të Durrësit verior ku do të ndërtoheshin dy parqe, parku energjitik dhe parku industrial. Duke lënë mënjanë parkun energjitik që tashmë ka marrë ngjyra politike, unë do të përqendrohesha te parku industrial. Në këtë park industrial, por dhe në zonën e Shkozetit, mund të ngriheshin industri të lehta prodhuese për vendin, por sidomos eksportuese. Mund të ngriheshin qendra të mëdha të magazinimit të mallrave të shteteve të tjera më të përparuara ose me zhvillim më të madh aktualisht, siç janë p.sh. vendet aziatike që do të shfrytëzonin Durrësin për të magazinuar mallra dhe më pas për të operuar në Evropë. Kjo perspektivë ka mbetur në vend. Dihet që dikur është bërë tenderi për të gjetur zhvilluesin e parkut industrial, nuk u shfaq askush dhe ka mbetur e bllokuar. Nëse flasim për turizmin, të gjithë jemi dëshmitarë që bregdeti i Durrësit është sakrifikuar për hir të Shqipërisë. Në një periudhë të vështirë ekonomike të viteve 1997-2005 u bënë ndërtime turistike dhe institucionet shtetërore që kishin në dorë vendimmarrjen, por dhe investitorët, pronarët e tokave, qytetarët që e lejuan këtë, bënë që plazhi i Durrësit të transformohej në një xhungël që rrezikon të humbasë gjithnjë dhe më shumë turistë. Aktualisht plazhi i Durrësit ka nevojë për 200 milionw euro investim, në një kohë që atje janë hedhur 5 miliard euro investime të shqiptarëve dhe të huajve. Nëse duam që plazhi i Durrësit të thithë turistë duhet që të ketë gentplane dhe infrastrukturën e nevojshme inxhinierike me kanalizimet, depuratorët, ujin, energjinë, telefoninë, internetin etj. Gjithsesi në këtë tunel ku jemi futur ka një rrugë. Nuk është e thënë që gjitha këto investime të fuqishme t´i bëjë shteti, mund t’i bëjnë privatët me anë të koncesioneve. Nëse flasim për pasurinë kulturore të qytetit të Durrësit dimë se është kryqëzimi i historisë që nga lashtësia deri në kohët moderne. Ndonëse shumë studiues thonë që Durrësi është një muze i hapur, unë do ta shikoja çështjen pak më gjerë dhe pak më ndryshe ndryshe. Marrim vetëm rastin e amfiteatrit, i cili është një thesar arkeologjik dhe de facto është shumë pak i vizitueshëm. Po të marrësh pastaj dhe të gjithë pasuritë e tjera të zbuluara ose nën tokë, janë pothuajse të pavizitueshme. Zgjidhja e vizitueshmërisë së tyre do të vijë vetëm nëse menaxhimi i tyre i kalon në kompetencë bashkisë së qytetit të Durrësit. Me pak fonde, të gjithë këto site historike dhe arkeologjike mund të bëhen të vizitueshme, mund të shtojnë turizmin duke e bërë atë gjithëvjetor dhe jo vetëm sezonal. Nëse ne organizojmë një tur vizite në 12 site arkeologjike (si në Londër) që Durrësi i ka, bëhen totalisht të vizitueshëm. Agjencitë që do të akomodojnë turistët do të kenë vetë interes, në një kohë që shteti dhe pushteti vendor do të krijojnë vetëm premisa për vizitueshmërinë e tyre.