Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 nëntorit, ditës së çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazifashistë në vitin 1944.
Ceremonia nisi me interpretimin e himnit kombëtar nga kori i shkollës jopublike “Migjeni”.
Në ceremoni ishin të pranishëm autoritetet më të larta vendore, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.
Në fjalën e rastit, kryebashkiakja Emiriana Sako nënvizoi se sot përulemi me respekt për të gjithë ata të rinj dhe banorë të qytetit që dhanë jetën në luftën me armikun.
“Jemi së bashku në kujtim të ditës historike të çlirimit të qytetit tonë, ditë për të cilën kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë jetën dhjetëra patriotë, luftëtarë të lirisë, të rinj e të reja të qytetit. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë të popullit të Durrësit për kontributin dhe vetëmohimin e gjithë heronjve e dëshmorëve, që në emër të lirisë, nuk kursyen asgjë për të arritur ditën e lavdishme të 14 nëntorit, ditën e çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë.
Durrësi u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së dytë Botërore, sepse në qytetin tonë, më 7 prill 1939 nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”,- tha ndër të tjera Sako.
Ndërkohë, kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës, Besim Shahini theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të luftës antifashiste nacionalçlirimtare dhe betejës për çlirimin e Durrësit si dhe shprehu mbështetjen e veteranëve për kryetaren e bashkisë.
Pas ceremonisë, kryebashkiakja Sako dhe veteranët e Durrësit vizituan galerinë “Nikolet Vasia” ku ishte hapur një ekspozitë me tablo që i kushtohen pikërisht atyre viteve të rëndësishme në historinë e qytetit dhe vendit tonë.
M.B.





