Sot, në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës u organizua kampionati i shahut për djem dhe vajza, me pjesëmarrjen e nxënësve nga shkollat e Bashkisë Durrës. Ky aktivitet mblodhi së bashku shumë fëmijë të apasionuar pas lojës së shahut, të cilët garuan me përkushtim, korrektësi dhe frymë sportive.

Gjatë kampionatit, pjesëmarrësit patën mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre strategjike dhe logjikën në përballje të forta dhe emocionuese. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe inkurajuese, ndërsa mësues, prindër dhe organizatorë ndoqën me interes çdo ndeshje.

Në përfundim të aktivitetit, të gjithë pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata mirënjohjeje për angazhimin dhe pjesëmarrjen e tyre. Gjithashtu edhe fituesit e këtij kampionati morën certifikata , kupa dhe medalje si një motivim për të vijuar më tej rrugëtimin e tyre në botën e shahut.

Ky kampionat dëshmoi edhe një herë rëndësinë e aktiviteteve kulturore dhe sportive në zhvillimin intelektual dhe social të fëmijëve, duke nxitur mendimin kritik, disiplinën dhe frymën e garës së ndershme.