·        Në Maratonën Ballkanike morën pjesë 48 sportistë profesionistë meshkuj e femra nga Shqipëria, Kosova, Italia, Bullgaria, San Marino, Maqedonia, Rumania, Turqia, Serbia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Armenia

·        Vendin e parë për femra e ka fituar atletja Sladjana Perunoviç nga Mali i Zi. Për meshkuj, Maratonën Ballkanike dhe medaljen e artë e ka fituar atleti Muzafer Bajram nga Turqia

 

·        U nderuan me titulin “Nderi i Atletikës Shqiptare” dy atletë veteranë dhe figura të shquara të këtij sporti në Durrës si Fatbardha Dervishi dhe Reuf Kazazi, me diplomë nderi u nderua një tjetër atlete veterane Marinda Preka

Durrës, 6 prill 2014– Është zhvilluar për herë të parë në Durrës Maratona Ballkanike. 48 sportistë profesionistë meshkuj e femra nga Shqipëria, Kosova, Italia, Bullgaria, San Marino, Maqedonia, Rumania, Turqia, Serbia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Armenia etj u mblodhën në Durrës për të marrë pjesë në këtë event të rëndësishëm sportiv.

Kjo maratonë ballkanike u zhvillua pikërisht në Ditën Botërore të Sportit për Paqe e Zhvillim. Maratona Ballkanike është i pari event në këtë lloj organizimi, qysh nga kampionati i lojrave Ballkanike të vitit 1946 i mbajtur në Tiranë dhe e para herë që një maratonë e tillë zhvillohet në Durrës.

Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, Koordinatorja Rezidente e OKB-së Zineb Touimi-Benjelloun, presidenti i komitetit olimpik shqiptar Viron Bezhani, presidenti i federatës ballkanike të atletikës Dobromir Karamarinov, përfaqësuesi i federatës botërore të atletikës Ahmad Al Kamali, zv/presidenti i federatës evropiane të atletikës Jean Gracia, presidenti i federatës shqiptare të atletikës Gjergj Ruli si dhe personalitete të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të mbështesë dhe organizojë gjithmonë evente të tilla që shpalosin vlerat qytetare dhe mikpritëse të Durrësit.

“Për herë të parë Maratona Ballkanike do të mbahet në qytetin tonë antik të Durrësit, i cili  është i denjë për lashtësinë e tij të mirëpresë zhvillimin e garës po aq antike, Maratonës. Durrësi në këtë mënyrë hyn kështu në historinë e atletikës edhe me këtë event, që sigurisht do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që marrin pjesë, për atletët e sportdashësit  që do të jetojnë emocione të mrekullueshme në Shqipëri. Ata do të kenë mundësi të shkëmbejnë me njëri-tjetrin jo vetëm eksperiencën e veçantë sportive të kësaj maratone, por dhe kulturën e pasur të ballkanit me kaq të përbashkëta nga fqinjësia jonë e lashtë, do të mrekullohen me hijeshinë e bregdetit dhe bukuritë e natyrës shqiptare. Të gjithë këta të rinj nga Ballkani që kanë mbërritur në qytetin tonë, do të zbulojnë një qytet bregdetar turistik me  vlera dhe lashtësi, të denjë për të përcjellë mbresat e përshtypjet më të mira. Këto vlera i përcjellin dhe durrsakët me ngrohtësinë e mikpritjen e tyre tradicionale dhe përkushtimin dinjitoz ndaj këtij aktiviteti. Sot më shumë se kurrë sporti do të demonstrojë misionin e tij në dobi të shëndetit dhe të paqes mes njerëzve”,- tha kryebashkiaku Dako.

Më pas e kanë marrë fjalën edhe personalitet e tjerë të pranishëm në këtë event të rëndësishëm sportiv. Koordinatorja Rezidente e OKB-së, Zineb Touimi-Benjelloun ka lexuar edhe një mesazh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun me rastin e ditës botërore të sportit për zhvillim e paqe.

Pas ceremonisë së hapjes kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka dhënë sinjalin e startit të garës për atletët profesionistë që kanë përshkuar 21 kilometra në këtë maratonë ballkanike.

Në këtë aktivitet kanë vrapuar për garën 21 km atletët profesionistë të Ballkanit si dhe në një garë të veçantë atletët e rinj shqiptarë të shkollave dhe klubeve sportive, për distancë 5 km kanë vrapuar të rinjtë e shkollës së Mjeshtërisë Sportive dhe në distanca të shkurtra kanë vrapuar fëmijët dhe nxënësit e qytetit.

Në përfundim të garës është zhvilluar edhe ceremonia e dhënies së medaljeve ku maratonën ballkanike për femra e ka fituar atletja Sladjana Perunoviç nga Mali i Zi me kohën 1 orë 15 minuta e 27 sekonda, e cila ka marrë edhe medaljen e artë. Në vendin e dytë u rendit Elena Cirlan nga Rumania me kohën 1.18.15 dhe në të tretin Fatma Hacikoylu nga Turqia me kohën 1.18.25. Për meshkuj, Maratonën Ballkanike dhe medaljen e artë e ka fituar atleti Muzafer Bajram nga Turqia me kohën 1.04.53, në vendin e dytë u rendit një tjetër atlet turk Yavuz Agrali me kohën 1.08.05 dhe në vendin e tretë atleti bullgar Shaban Mustafa me kohën 1.09.31.

Në ceremoninë përmbyllëse fitues për garën e atletëve të rinj shqiptarë u shpall Ilir Këllezi i Skënderbeut, në vendin e dytë Pjetër Ndoi i Teutës dhe në të tretin Marko Markaj i Mjeshtërisë Sportive.

Ndërkohë u nderuan me titulin “Nderi i Atletikës Shqiptare” dy atletë veteranë dhe figura të shquara të këtij sporti në Durrës si Fatbardha Dervishi dhe Reuf Kazazi, me diplomë nderi u nderua një tjetër atlete veterane Marinda Preka ndërkohë që me medalje ari u nderua edhe atleti më i vjetër pjesëmarrës në këtë maratonë Nexhat Xhemalçe me moshën 78 vjeç.

Ky aktivitet solli në Durrës atletë cilësorë nga Ballkani dhe më gjerë duke demonstruar nje garë solidariteti e paqeje dhe duke e kthyer këtë aktivitet kulturor-sportiv në një ngjarje që shpalos vlerat qytetare dhe mikpritëse të qytetit bregdetar dhe historik të Durrësit.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/