Në qytetin e Durrësit u organizua edicioni i 24-të i Festivalit Ballkanik mbarëshqiptar për nxënësit e shkollave të arsimit 9-vjeçar, “Luajmë dhe vallëzojmë”.
Në këtë edicion morën pjesë rreth 11 ekipe nga trevat shqiptare të Ballkanit të cilët shpalosën në qytetin bregdetar traditën e lashtë të folkut dhe kostumografisë së krahinave që përfaqësonin.
Shumëllojshmëria e këngëve, valleve dhe lojërave popullore për fëmijë që shpalosën rreth 160 nxënës lanë mbresa dhe sikurse u shprehen organizatorët, vunë në vështirësi jurinë artistike për dhënien e trofeut, i cili u rrëmbye nga ekipi i komunës së Kishnicës Kosovë.
“Në krahasim me vitet e kaluara, këtë vit aktiviteti ishte më i ngushtë për shkak edhe të kushteve të krijuara nga pandemia e Covid-19, duke kushtëzuar numrin e pjesëmarrësve në festival.”, u shpreh drejtori i QKF Durrës, Avni Çuni.