1 shtator 2015 – Dhjetëra këngëtarë, instrumentistë e valltarë nga 7 vende të botës kanë performuar për publikun durrsak në sheshin “Liria”, traditat folklorike kombëtare të vendeve të tyre.
Festivali Folklorik Ndërkombëtar që po zhvillohet në Durrës organizohet nga World Art Association of Festivals me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit dhe tashmë ky festival do t’i shtohet aktiviteteve të tjera ndërkombëtare të përvitshme që zhvillohen në qytetin bregdetar.
Në këtë festival folklorik të titulluar “From Folk To Modern” marrin pjesë 7 shtete si Shqipëria, Polonia, Çekia, Kroacia, Rumania, Bullgaria dhe Maqedonia. Pjesëtarët e grupeve folklorike të këtyre shteteve kanë ecur përgjatë bulevardit “Epidamn” dhe më pas ata kanë zhvilluar festivalin folklorik në sheshin Liria në prani të qytetarëve dhe pushuesve të Durrësit, të cilët kanë shijuar një shfaqje të pasur me këngë e valle tradicionale të këtyre shteteve, por edhe me kërcime moderne që i bashkangjiten folklorit.
Ky aktivitet që ka filluar më 29 gusht dhe përfundon në 2 shtator, ka si qëllim shpalosjen e foklorit të zgjedhur, kostumeve tradicionale popullore, artit modern dhe njohjen me kulturën dhe traditën e vendeve pjesëmarrëse.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/