Për herë të parë përgjatë këtyre 30 viteve demokraci, u zhvillua konkursi i parë kombëtar i djathit në vendin tonë. Inxhinieri i palodhur Nazif Tivari vendosi të organizonte në ditën e ditëlindjes së tij konkursin Cheese Tasting of Albanian Producers 2021, ku garuan rreth 30 kompani nga Shqipëria dhe Kosova.
Gjatë fjalës së tij në nisje të këtij aktiviteti, inxhinieri Tivari e vuri theksin në rëndësinë që ka rritja e numrit të krerëve bagëti, që të shtohet prodhimi i qumështit e për pasojë të përmirësohet edhe cilësia e djathit që del në treg në të dy anët e kufirit shqiptar. Sipas tij, pjesëmarrësit në këtë konkurs janë kompani dhe individë që “punojnë pastër” dhe nxjerrin produkte pa konservantë, pa vaj palme.
I fundit konkurs i këtij lloji është zhvilluar në vitin 1980 në Pogradec, por inxhinier Tivari synon ta kthejë në një aktivitet të përvitshëm.
“Ky konkurs është i pari që zhvillohet pas 40 vjetësh. Ka qenë synimi im prej vitesh për ta organizuar këtë konkurs, për çdo vit në verë. Mora iniciativën, që ta zhvilloja në 70-vjetorin tim. Kam biseduar edhe me prodhues nga Kosova dhe ata më shprehën gatishmërinë që do të vinin. Shumë prej tyre i kam pasur studentë”,– tha inxhinier Tivari.
Ndërkohë, zv/ministri i Bujqësisë, Roland Kristo, tha se e rëndësishme është hapja e tregut rajonal për qumështin dhe nënproduktet e tij, sepse në këtë mënyrë kompanitë e kanë më të lehtë që të zhvillohen dhe të nxjerrin produkte cilësore.
“Ne po shkojmë drejt hapjes së kufijve, mini-Shengenit Ballkanik, duke mundësuar kështu një treg më të madh. Është më e vështirë për një kompani të prodhojë për një treg prej 2 milionë personash, por është më e lehtë për të krijuar treg dhe për t’u hapur kur ka një popullsi prej 15 apo 20 milionë personash, siç është pjesa e Ballkanit Perëndimor. Zgjerohet tregu, rritet cilësia dhe janë të gjitha mundësitë për ne, për prodhuesit tanë, që të zgjerohen”,– tha nr.2 i dikasterit të Bujqësisë, Roland Kristo.
Përfaqësuesi i Qumështorit “Abi” nga Prizreni, Irfan Fusha, që prodhon djathin e Sharrit, mjaft i njohur në të dy anët e kufirit tha për “Durrëslajm” se në këtë panair kompania e tij prezantohet me 6 lloje djathërash. Zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në Kosovë sipas Fushës po ecën mirë dhe këtë e tregon edhe fakti se në vendin fqinjë ka shumë lloje djathërash që prodhohen pa përdorur pesticide apo përbërës të tjerë si vaj palme etj.
“I kemi malet të mira për kullota dhe prandaj e kemi qumështin shumë cilësor”,- deklaroi Fusha.
Juria e konkursit e përbërë nga emra të njohur si Evgjeni Pinguli, Anila Kopani, Doruntinë Mullaavada, Artan Xhafa si dhe inxhinieri Nazif Tivari pati një detyrë të vështirë, pasi i duhej të përzgjidhte më të mirët mes dhjetëra lloje dhjathi, kaçkavall apo të bardhë.
Juria nderoi me çmim të parë disa kompani:
Çmim i parë – Trison Kaludhi, Përmet – kaçkavall deleje
Çmim i parë – 2FH, Konispol, dhjath të bardhë dhie
Çmim i parë – Rugova, Kosovë, djath i bardhë lope
Çmim i parë – Natyral Farming, Tiranë, kaçkavall me arra
Çmim i parë – Erzeni, Berat, kaçkavall deleje
M.B.





