8 familje nga zona e Manzës, të mbetura pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, sot u bënë me apartament të ri.
Shorteu publik u zhvillua në sallën e Këshillit Bashkiak, ku 8 familjet përfituese përzgjodhën apartamente me strukturë 1+1, 2+1 dhe 3+1.
Banorët përfitues u shprehën të kënaqur, që pas një pritjeje më shumë se 2 vite, më në fund po bëhen me shtëpi të re.
“Eshtë një investim shumë i mirë që ka bërë kjo qeveri për ne që mbetëm të pastrehë”,- thotë për “DurrësLajm” njëri prej banorëve përfitues, që është kthyer në vendlindje për të tërhequr sot goglën e shorteut.
“Janë bërë punime të mira. Jam shumë e lumtur sot, sepse kemi kaq kohë që presim”,– thotë një banore e Manzës, që sot u bë me shtëpi të re.
Ky është shorteu i tretë publik që zhvillohet për ndarjen e apartamenteve të reja në sitin e ri në Manzë.
Njësia administrative ishte ndër zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 2 vite e gjysëm më parë dhe pas fatkeqësisë natyrore, qeveria Rama shpalli me një VKM të posaçme zonën e re për zhvillim në Manzë, ku janë ndërtuar 9 banesa kolektive 5 dhe 6 katëshe, ku do të sistemohen rreth 226 familje.
Siti i ri në Manzë përveç njësive të banimit do të ketë zona parkimi, objekte shërbimi, qendër shëndetësore, qendër multifunksionale, kopësht dhe fusha sportive.
M.B.





