Paraditen e së enjtes është zhvilluar në rajonin e gjirit të Durrësit-Kepi i Palit dhe mjediset e Komandës së Forcës Detare (FD) në Plepa stërvitja e koduar "Durrës-SAREX 2019".

Qëllimi kryesor është nxitja e bashkëpunimit dhe rritja e ndërveprueshmërisë ndërmjet mjeteve detare të FD-së, mjeteve ajrore të Forcës Ajrore (FA) dhe institucioneve detare që kanë interesa në det, duke zbatuar procedurat e zbatimit të ligjshmërisë detare për operacionet e ndalimit detar dhe kërkim-shpëtimit (SAR), njoftoi Komanda e FD-së. 

Në stërvitje morën pjesë me personel dhe mjete FD-ja (organizatore e stërvitjes), 4 mjete, anija “Iliria”, anija ”Era”, P-118, P-01, “Drini’, skafi i anijes “Iliria’, grupi i bordingut, Forca Ajrore me një helikopter, Antikontrabanda dhe policia Kufitare me një mjet.

Zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i rangut I, Artur Meçollari sqaroi se, krahas përmirësimit të elementëve të kësaj stërvitjeje në krahasim me vitin e kaluar, u zgjerua rajoni i stërvitjes, ndërkohë që u testuan kapacitetet komunikuese të anijeve të FD-së me helikopterët e FA dhe mjeteve të institucioneve pjesëmarrëse. 

Gjithashtu u realizua njohja e situatës detare në rajonin e stërvitjes duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion, kryerja e bordimit në det, zhvillimi i operacioneve të kërkim – shpëtimit dhe operacioneve të ndalimit në det, etj. Stërvitja u zhvillua në dy plane, në sallën operacionale të FD dhe në rajonin e caktuar në det.