Ikona e kinematografisë, Margarita Xhepa është ndarë nga jeta ditën e sotme.

Aktorja e njohur shqiptare dhe shumë e dashur për publikun festoi një ditë më parë 91-vjetorin e lindjes.

Margarita Xhepa është konsideruar si një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar që ka skalitur memorien e publikur shqiptare me role brilante që prej fillimit të saj, në vitet ’60 dhe deri më tani.

Në maj të vitit 2004, u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj dhjetëra vjeçare.

Gjatë karrierës së saj të pasur, Margarita Xhepa interpretoi mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi. Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Margarita Xhepa mbetet në memorien e shqiptarëve në shumë filma si “Dimri i fundit”, “Koncert në vitin ‘36”, “Apasionata”, “Gjeneral Gramafoni”, etj.

Krahas titullit të lartë si “Nderi i Kombit”, gjerdani i kinemasë ka marrë vlerësim edhe në rolet e dramaturgjisë botërore.

Në vitin 2007 asaj iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Margarita Xhepës i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”.