Zinedine Zidane do të jetë pasuesi i Rafael Benitez në stolin e Realit të Madridit. Në Francë e japin si të sigurtë një lajm të tillë me të përditshmen franceze L’Equipe që nënvizon se Zizu është gati për të marrë drejtimin e Los Blancos. Benitez i ka të numëruara orët e tij në krye të Realit pas rezultateve zhgënjyese që ka regjistruar skuadra në muajin e fundit, dhe në këtë mënyrë presidenti Florentino Perez do t’ia besojë postin e trajnerin ish mesfushorit francez që me Realin si lojtar bëri epokë duke fituar disa trofe.

Zidane aktualisht është në krye të skuadrës së të rinjëve të Los Blancos, Real Madrid Castilla që militon në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll. Nëse lajmi që publikon L’Equipe rezulton të jetë i vërtetë atëherë 43-vjeçari do të marrë drejtimin e Realit deri në përfundim të këtij sezoni dhe në bazë të rezultateve që do të arrijë ekipi gjatë kësaj periudhe do të vendoset nëse Zizu do të vazhdojë punën edhe në edicionin e ardhshëm.

Emërimi i Zinedine Zidane i cili konsiderohet një legjendë e klubit e merengues është një dëshirë e vjetër e presidentit të Realit, Florentino Perez i cili është gati të realizojë një tjetër kapriço të tijën pas asaj për të vendosur në krye të skuadrës një trajner si Benitez të cilin tifozët e Los Blancos nuk e donin.