Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së dytë të Superkupës së Spanjës, kundër Barcelonës. Pyetjet e gazetarëve janë përqendruar kryesisht tek Cristiano Ronaldo, i cili doli me karton të kuq gjatë ndeshjes së parë dhe pastaj u pezullua me 5 ndeshje nga komisionet përkatëse disiplinore. “Fitore radhazi dhe tituj? Ajo që po bëjmë nuk është e lehtë, por është meritë e këtij klubi, që ka grumbulluar në një ekip kaq shumë të talentuar. Natyrisht, po bëjmë shumë punë dhe jemi shpërblyer.

I përgëzoj të gjithë për punën e bërë mirë, por ky është fillimi i një sezoni të vështirë. Penalizimi i Ronaldos? Jam shumë i mërzitur në lidhje me këtë dënim. Nuk do të merrja asnjë minutë kohë për të folur për gjyqtarët, por kur shikoni se çfarë ka ndodhur, atëherë nuk e mban dot veten. Në mënyrë të padrejtë Cristiano nuk do të luajë pesë ndeshje me ne. Jam i mërzitur dhe kjo është shumë për të. Bale dhe Asensio? Të dy janë duke punuar shumë mirë me grupin. Përpara kemi shumë ndeshje, na duhet të bëjmë mjaft ndryshime, të luajmë me ekipe të ndryshme gjatë gjithë vitit. Ne po përgatitemi në mënyrë që të gjithë të jenë gati, që të luajnë sipas nevojave.”