Krenar për skuadrën që ai drejton. Reali i Madridit me Zinedine Zidane në krye të stolit nuk di më të ndalet. Los Blancos pasi fituan La Ligan, Champions Leaguen dhe Superkupën e Europës, falë suksesit fantastik me shifrat 3-1 brenda në Camp Nou ndaj Barcelonës në ndeshjen e parë prekën me njërën dorë edhe trofeun e Superkupës së Spanjës. Të Mërkurën në Santiago Bernabeu, Zidane me shumë gjasa do të ngrejë lart trofeun e tij të 7-të me Realin si trajner, duke u konfirmuar si super-teknik edhe pse është vetëm në fillimet e karrierës së tij. Ndaj Barcelonës mungoi një lider në mesfushë si Luka Modric ndërsa, Cristiano Ronaldo u fut në fushë nga stoli dhe e mbylli ndeshjen përpara kohe për shkak të kartonit të kuq që mori por kjo pak rëndësi ka, sepse Reali i Zidane nuk varet më nga indvidë të vecantë që ka më shumë se 20 futbollistë titullarë dhe gjithcka për meritë të trajnerit francez, që edhe një talent si Asensio e ka bërë të duket si një futbollist ekspert i aftë për të vendosur i vetëm fatet e një ndeshjeje, ashtu sic bëri në momentin e golit të tretë ndaj Barcës.
Nga ndëshkimi me karton të kuq i Cristiano Ronaldos te forma fantastike e Marco Asensios. Në konferencën shtyp pas përfundimit të El Clasicos, Zidane nuk i kurseu kritikat për arbitrin ndërsa vlerësoi skuadrën e tij.” Zhvilluam një ndeshje të madhe. Por arbitri u mundua ta prishte disi në momentin që i nxorri kartonin e kuq Ronaldos për simulim. Ndoshta nuk ishte penallti, por i kuqi nuk ishte i nevojshëm dhe na prishi planet. Të shohim se cfarë mund të ndodhë të Mërkurën por dua të them që jam shumë krenar për futbollistët e mi. Edhe pse luajtëm me 10 lojtarë për disa minuta ata besuan te fitorja deri në fund. Për mua Reali i Madridit nuk ka një ekip A dhe një skuadër B. Të gjithë janë njësoj dhe të gjithë janë të rëndësishëm për këtë skuadër. Luajnë gjithë ndeshjen, 1 orë apo 20 minuta, ata sërish japin maksimumin dhe bëjnë gjithmonë mirë. Asensio? Nuk më surprizon ajo që po bën është fenomenale. Ka cilësi të jashtëzakonshme kur godet topin dhe një është vlerë e shtuar për Realin e Madridit”.
Zhgënjimi nuk mund të mungonte në fjalët e trajnerit të Barcelonës Ernesto Valverde, por edhe pse e pranon se falë fitores 3-1 Reali i Madridit është shumë pranë fitimit të Superkupës së Spanjës, numri 1 i stolit të katalansve beson ende te mrekullia: “Nuk bëm një ndeshje të keqe, por rezultati nuk ishte i mirë për ne, Reali është favorit tashmë por është edhe një ndeshje tjetër për tu luajtur dhe duhet të besojmë te përmbysja sepse jemi Barcelona. Sezoni sapo ka nisur dhe asgjë nuk përfundon pas një humbjeje apo pas një fitoreje”, deklaroi Ernesto Valverde.