Reali i Madridit bëhet gati për festën e titullit. Në “La Rosaleda” ndaj Malagas, Los Blancos kanë nevojë për vetëm 1 pikë, për të fituar për herë të 33-të në historinë e klubit, titullin e La Ligas. Pas triumfit si lojtar në sezonin 2002-2003, Zinedine Zidane po përgatitet të fitojë Primeran edhe si trajner me Realin, por më parë skuadra e teknikut francez duhet të thotë fjalën e saj në sfidën ndaj Malagas.
“E kemi të qartë se na mungon vetëm një ndeshje. Deri në këtë moment të sezonit, i kemi bërë gjërat ashtu sic kemi dashur dhe jam i kënaqur me këtë fakt. Po kalojmë një moment të mirë, të gjithë futbollistët janë mirë fizikisht, do të japim maksimumin për të fituar ndaj Malagas. Michel si një ish madrilen mund ta detyrojë Malagan të tolerojë? Unë shikoj vetëm punën time dhe jam i përqëndruar te skuadra.Nuk i zë besë kundërshtarit dhe askujt. E di që na pret një ndeshje e vështirë pasi do të kemi përballë një skuadër që ka bërë një fund sezoni të shkëlqyer, por e rëndësishme është që e kemi vetë në dorë fatin tonë”.Reali i Madridit nuk e fiton kampionatin që nga viti 2012-të, por sipas Zidane ka ardhur momenti që Los Blancos të ngrejnë sërish lart titullin e La Ligas, trajneri francez, bëri edhe një krahasim se kush është më e vështirë për t’u fituar, Primera Division apo Champions League.”
E dimë sesa mision i vështirë është të fitosh La Ligan. Janë 38 javë kampionat dhe gjithcka është shumë e ndërlikuar. Cdo fundjavë ose më saktë cdo tre ditë duhet të tregosh se ke dëshirë të fitosh dhe kjo është ajo që kemi bërë ne deri tani. Kemi punuar fortë për të arritur deri këtu dhe lojtarët janë treguar vërtetë fenomenalë. E meritojmë të jemi në këtë pikë. Nuk mund të bëj krahasime se cili trofe është i vështirë për t’u fituar ai i La Ligas apo Champions League. Për kampionatin punohet cdo ditë, por edhe Championsi ka të njëjtën shkallë vështirësie”.