Zinedine Zidane ka bërë historinë, duke u bërë trajneri i parë që e fiton për dy edicione radhazi turneun e Champions League me Real Madrid, por francezi kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë. Skuadra e tij fitoi dje në mbrëmjë 4-1 ndaj Juventusit në finalen e luajtur në Kardif dhe meritë për këtë sukses ka edhe Zizu. “Jemi të kënaqur, pasi askush më parë nuk ia kishte dalë mbanë të fitonte dy herë radhazi këtë turne. Luajtëm mjaft mirë ndaj një Juventusi të fortë, duke vuajtur shumë në pjsën e parë. Por në 45 minutat e dyta dominuan, kontrolluam lojën dhe e merituam fitoren”, u shpreh Zinedine Zidane për mediat pas takimit.

“Kemi punuar shumë për të arritur këtë triumf, për të fituar jo vetëm Champions League por edhe kampionatin. Por kur ke lojtarë të mëdhenj në ekip është më e lehtë për mua. Unë nuk e konsideroj veten një gjeni, ashtu sikurse nuk kam qenë një dështak në të shkuarën”, u shpreh më tej trajneri francez, që ka konfirmuar pas takimit se do të qëndrojë te skuadra madrilene.“Do të qëndroj, por për të ardhmen do të mendojmë më vonë, tani është koha për të festuar”, tha Zidane, që pas takimit ai ka festuar në fushë bashkë me familjen e tij. “Sot është një ditë speciale për mua, por mendoj se triumfi në kampionat është dita më e bukur e karrierës time, pasi na u deshën 38 javë kampionat për t’ia dalë mbanë”, tha Zidane.