Nga Gëzim Kabashi (ATSH)

DURRËS, 2 prill 2014 –  Mjaft aktiv në jetën shoqërore, megjithëse i ka kaluar 68 vjetët, Zihni Beqiraj kohët e fundit ka paraqitur një pamje tjetër të personalitetit të tij.

Duket se ka bërë paqe përfundimisht me politikën, e cila dominoi për gati 15 vjet në përditshmërinë e jetës së Zihniut, duke e dërguar për një legjislaturë edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Që nga viti 2006 ai i është rikthyer një pasioni të vjetër, që mund të përkufizohet edhe si dashuria e parë e tij: kënga.

Kompozimi me titull “Fotografia” ishte sprova e tij e parë, një bashkëpunim me të vëllanë poet, Javer Beqiraj. Kënga që përfshinte në fabulën e thjeshtë: provimin dhe profesorin me të bijën u bë shumë shpejt hit mes studentëve në fundvitet 1960.

Vitet e fundit shkëndijat e rinisë janë rikthyer më të ndezura se asnjëherë.

Durrësi, Shkodra apo Ulqini

Krijimtaria si kompozitor zë një kohë të mirë të ditës së Beqirajt, i cili gjithsesi ka marrë përsipër edhe detyrime të tjera shoqërore, ndër të cilat vendin kryesor e zë drejtimi i shoqatës “Ulqini”, në qytetin e Durrësit. Nga ana tjetër, artistët e rinj kanë gjetur te Zihniu një këshilltar mjaft të mirë, por edhe mbështetës të fuqishëm të nismave të tyre.

I rritur dhe formuar në Durrës, në një familje shkodrane me prejardhje nga Ulqini, Zihni Beqiraj nuk di të ndajë saktësisht se cili është qyteti që i ka dhënë më shumë, ndërsa nuk e mohon se lidhja e fuqishme me muzikën i përket familjes, e veçanërisht njërit prej njerëzve të afërt të tij, Mustafa Beqiraj, mjaft i njohur si këngëtar dhe kompozitor i muzikës popullore në vitet 1960-1970.

“Gati gjysma e krijimeve të xhaxhait janë nderuar me çmime në festivalet që organizoheshin asokohe” – kujton Zihniu, ndërsa kur e pyesim për familjen përgjigjet: “Nuk na nevojitet shumë për të bërë një festë në shtëpi. Mjafton që njëri prej nipave, Adili p.sh., të kapë kitarën, ndërsa unë luaj në fizarmonikë, si në gjimnaz”.

Tastiera e organos në lokalin e njohur “Pasmen” të rrugës Tregtare, që tani thirret bulevardi “Epidamn”, është mikesha më e mirë e Zihniut.

Brenda pak vitesh ai ka kompozuar jo pak, por mbi 50 këngë. Dhe numrat lëvizin mjaft shpejt.

“Ka qenë një shtysë e brendshme kënga e parë, e cila i është kushtuar nipit të vogël; pra është një nxitje që vjen nga dashuria” – vijon Zihniu, ndërsa rreth nesh dëgjohen zërat e kalimtarëve dhe zhurmat e automjeteve në rrugën kryesore.

Sipas “kompozitorit të ri”, krijimet, në shumicën e rasteve, e kanë marrë shtysën nga vargje të ndjera, siç kanë qenë ato të Gëzim Çelës “O nënë, sot jam i lirë”, një himn për të përndjekurit politikë.

Gjon Shllaku, një nga muzikologët e njohur të Shkodrës, ka vlerësuar veçanërisht këngën që ka gjetur frymëzim te vargjet e Ndre Mjedës dhe në një ngjarje të hershme familjare: lindjen e një vajze pas 80 vjetëve me djem në derën e Beqirajve. Të njëjtin mendim ndajnë edhe specialistët e këngës ulqinake, të cilët nuk vlerësojnë vetëm krijimtarinë, por edhe urat bashkuese që po ndërtojnë me Durrësin këngët e “profesorit të fizikës”.

Merdani, Tusha, Qamili, Kërtusha, Myshketa, Gjojdeshi,…

Këngët e Zihni Beqirajt kanë marrë formë dhe i janë paraqitur publikut falë bashkëpunimit të ngushtë me orkestruesit e njohur durrsakë Ylli Ramzoti dhe Erion Sheqeri.

Katër prej tyre dëgjohen rregullisht në radiot dhe TV Teuta të Ulqinit, një videoklip transmetohet në njërin prej TV shqiptare të kryeqytetit, ndërsa një tjetër e përkthyer në gjuhën greke ka zënë vend në repertorin e radios lokale të Janinës.

“Ka pasur edhe bashkëpunime të tjera në fushën e orkestrimit, veçanërisht për këngët me karakter popullor të Ulqinit”- tregon Zihniu.

Cikli “Mall për Ulqinin”, që përmbledh 16 këngë gjithsej, ka afruar në interpretim artistë dhe komplekse popullorë me shumë emër, mes të cilëve shquhet Shaban Gjeka, një nga këngëtarët që bëri bujë në turneun e artistëve shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia në Shqipërinë e fundviteve 1970.

Sidoqoftë, këngët e kompozitorit durrsak kanë gjetur jehonë në interpretimin e këngëtarëve shumë të njohur të skenës shqiptare. Sherif Merdani, këngëtari që u dënua se i këndoi nënës; Kastriot Tusha, një nga lirikët më të mirë të këngës qytetare; Bujar Qamili i Shkodrës i ka dhënë jetë njërës prej këngëve të tij më të mira; përfaqësuesit e brezit të ri të artistëve durrsakë Gëzim Myshketa, Julian Gjojdeshi e Ilsid Çullhaj, apo veterani i këngës Qemal Kërtusha janë vetëm disa nga emrat që u kanë dhënë “zë” krijimeve të kompozitorit Zihni Beqiraj.

“E di që është shumë e vështirë të prodhosh një këngë dhe në shumicën e rasteve shpenzimet i kam përballuar vetë, por gëzohem kur i dëgjoj të përfunduara e veçanërisht kur miqtë më japin opinionet e tyre”, – thotë me modesti Zihniu.

Sidoqoftë, libri-album “Mall për Ulqinin” ka qenë ndërmarrja më e madhe në karrierën e Zihni Beqirajt, kompozitor dhe rrëfyes. “Kam botuar një libër, në të cilin bashkë me partiturat e këngëve për Ulqinin që shërbejnë edhe si kryekapituj, do të ketë edhe një CD me këngët që i kam thurur qytetit bregdetar, nga ku e ka prejardhjen familja ime”, – përfundon Zihni Beqiraj, profesori i fizikës, që e la politikën për këngën.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/